E Premte, 6 Nëntor 2026

Bujqësia e zgjuar, Tole: Kërkimi shkencor, garanci për përmirësimin e aksesit në teknologji

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ “Bujqësia e zgjuar në Shqipëri, arritje dhe sfida për të ardhmen” titullohet workshop-i  i organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave akademiku Vasil S. Tole mbajti fjalën përshëndetëse në emër të kryesisë së kësaj akademie, ku theksoi se “Akademia e Shkencave është në vijimësi e angazhuar për të organizuar së bashku dhe promovuar aktivitete të tilla me shumë vlerë, që lidhen me sektorin me të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare që është bujqësia, e cila sot përfaqësohet nga mbi 350 000 fermerë, duke kontribuar me rreth 20% në GDP e vendit”.

“Me kënaqësi pohojmë bashkëpunimin e Akademisë së Shkencave me Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në funksion të misionit për t’i shërbyer sektorit bujqësor dhe rural në vend, duke kontribuar në ekonominë e vendit dhe mbështetur kështu gjithë konsumatorët shqiptarë”, tha Tole.

Zv/kryetari Tole u shpreh se “tematika e këtij aktiviteti duke trajtuar çështjet e bujqësisë së zgjuar në Shqipëri, e konsideron tokën si aset dhe si një laborator të gjallë, nisur nga fakti se toka është një burim i brishtë që duhet të menaxhohet dhe ruhet me kujdes për brezat e ardhshëm. Laboratorët e gjallë janë vende për demonstrimin e zgjidhjeve, trajnimit dhe komunikimit. Janë këto laboratorë të gjalla të cilët do të ekspozojnë praktika që duhen ndjekur sa i përket sigurimit të prodhimit të qëndrueshëm, të ushqimeve të shëndetshme si dhe të shërbimeve të ekosistemit që lidhin komunitetet rurale dhe urbane dhe që ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme për zhvillimin e bujqësisë dhe mbrojtjes mjedisore”.

Janë pikërisht këto hapësira, vijoi Tole, që i lejojnë pronarët dhe menaxherët e tokës të angazhohen maksimalisht, bashkë me grupet e interesit nga sektorë të ndryshme, apo autoritetet publike dhe qytetarët, duke përfshirë këtu edhe konsumatorët, që të punojnë së bashku me kërkuesit nga disiplina të ndryshme, për të gjetur dhe zhvilluar zgjidhje dhe për të identifikuar hapësira në shëndetin e tokave dhe menaxhimin e kulturave të ndryshme.

“Duhet të ndjehemi të inkurajuar edhe nga aprovimi i ligjit të ri për shkencën, i cili  ka në thelb të tij citoj: “sigurimin e produkteve të kërkimit shkencor që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik, si dhe konsolidimin e identitetit kombëtar; “fuqizimin e aftësive për të menaxhuar progresin teknologjik dhe të përgjithshëm shoqëror, si burimi kryesor i zhvillimit të qëndrueshëm”, dhe “përvetësimin e aftësive dhe njohurive të reja, transferimin e tyre për përfitimin e përgjithshëm publik, me synim rritjen e mirëqenies sociale” etj. Të gjitha këto janë një garanci më shumë që më vendin tonë të rritet përmirësimi i aksesit në teknologji përmes subvencione të dedikuara ose kredive me interesa të ulëta për investime në teknologji, të rritet mbështetje për startup-et bujqësore që zhvillojnë teknologji të përshtatshme për kontekstin shqiptar, duke e kombinuar këtë me krijimin e programeve arsimore dhe trajnimeve për fermerët për të përdorur teknologji të avancuar”, nënvizoi Tole.

Nga ana tjetër, shtoi Tole, mbetet gjithmonë e këshillueshme që të gjitha nismat të reflektojnë në një bashkëpunimin rajonal më të plotë, si përmes projekteve ndërkufitare me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut për ndarjen e përvojave dhe burimeve.

“Prandaj e mbështesim këtë takim, në mënyrë që ndjekja e përvojave evropiane mbetet një faktor thelbësor për të tejkaluar sfidat dhe për të përfituar nga potenciali i plotë i sektorit duke përdorur elementet e “bujqësisë së zgjuar”. Jemi shpresëplotë, se gjetjet dhe përfundimet e këtij workshop-i do t’u shërbejnë institucioneve tona për t’i përfshirë këto çështje në agjendat prioritare dhe do të ndikojnë në gjetjen e rrugëve të tjera të bashkëpunimit në të ardhmen”, tha Tole.

/k.s/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›