Mersini: Mbështetje të pakushtëzuar për sportistët e Vlorës

TIRANË, 27 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kandidatja e Partisë Socialiste për kryetare bashkie në Vlorë, Brunilda Mersini siguroi sot për më tepër mbështetje për sportin.
Në një takim të organizuar me sportistë të Vlorës, Mersini siguroi se buxheti 2026 i bashkisë Vlorë për sportin do të jetë ndryshe.
“Do të ulemi bashkë, do ta hartojmë bashkë me aktorët, por më parë ne duhet të amplifikojmë pikat e forta”, tha ajo.
Mersini e konsideroi të veçantë takimin me sportistët vlonjatë, ndërsa u angazhua për zgjidhjen e problematikave të tyre.
“Për shkak të miqve të mi sportistë, kuriozitetit personal për ecurinë e sportistëve vlonjatë, por sidomos sepse ata vetë spikasin në të gjitha disiplinat sportive ku marrin pjesë, takimi me sportistët e qytetit ishte krejt i veçantë”, tha ajo.
Mersini theksoi se “Flamurtari” ka lënë gjurmë të arta në mbi 20 disiplina, duke e bërë Vlorën të ndjehet kampione në çdo kohë.
“Vajzat e basketbollit, kampionet e notit, medalistët e boksit dhe, pa diskutim, djemtë e futbollit, ata që që prej vitit 1923 kanë shkruar kapituj krenarie për këtë klub legjendar.
Unë nuk jam vetëm përkrahëse. Jam tifoze e historisë së tyre, e talenteve që lindi e rriti sporti vlonjat. Mbështetja për ta nuk do të jetë pikëpyetje, por një premtim i pakushtëzuar, si besnikëria e tifozëve që nuk lodhen kurrë duke brohoritur ‘Flamurtari'”, siguroi Mersini.
Mersini hoqi dorë nga mandati i deputetes pasi garon për kryetare në bashkinë e Vlorës nën siglën e Partisë Socialiste, në zgjedhjet e pjesshme lokale që do të mbahen më 9 nëntor.
/r.e/a.f/