E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Hapësirat publike do të çlirohen të tëra pa ndalim

TIRANË, 27 tetor /ATSH/ Qeveria shqiptare ka ashpërsuar masat për forcimin e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike, zbatimin cilësor të lejeve të ndërtimit dhe ndëshkimin e ndërtuesve që i shkelin ato.

Shumë raste shkeljesh raportohen nga vetë qytetarët në portalin e dedikuar për këtë qëllim “Hapësira ime publike”, ku deri tani rezultojnë 14 533 raste të denoncuara.

Kryeministri Edi Rama siguroi sot se “hapësirat publike do të çlirohen të tëra pa ndalim dhe pa përjashtim”.

Rama ndau në rrjetet sociale foto të çmontimit të strukturave pa leje të pozicionuara në hapësirat publike.

Lirimi i hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme vijon në të gjithë vendin duke i paraprirë zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”.

E konceptuar si një ndërhyrje sistematike në terren dhe jo një aksion i përkohshëm, kjo nismë, e cila ka nisur nga zbatimi në muajin korrik, po vijon me prioritet në të gjithë territorin e vendit.

Për goditjen e fenomenit të ndërtimeve pa leje, në Kodin e ri Penal parashikohen ndëshkime më të ashpra.

Një tjetër mekanizëm, që do të jetë në funksion të subjekteve private, do të jetë Rregullorja e re Kombëtare, ku do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojnë bizneset.

Deri sot në portalin “Hapësira ime publike” ku qytetarët mund të denoncojnë shkeljet, janë raportuar 14 533 raste, nga të cilat janë zgjidhur 10 799 raste, ndërsa 3 734 të tjera janë aktualisht në proces shqyrtimi.

1 nga 8

/m.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›