E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tetori Rozë, Sota takim me gra demokrate të Vlorës

TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Kandidati i pavarur për kryetar bashkie në Vlorë, Dionis Sota, i cili mbështetet nga Partia Demokratike, zhvilloi një takim me përfaqësuese të Lidhjes Demokratike të Gruas Vlorë, me ftesë të kryetares së saj, Alta Azizi-Haluci.

Ky takim u organizua në kuadër të Tetorit Rozë, muajit që i përkushtohet ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit.

Sota nënvizoi se gjatë takimit u përcollën disa mesazhe të fuqishme për rëndësinë e veçantë që ka kontrolli i hershëm dhe përkujdesi e mbështetja ndaj çdo gruaje që cenohet nga kjo sëmundje.

“Të flasësh për gratë është diçka sublime. Ne të gjithë jemi në jetë falë tyre dhe kjo na bën me një ndjenjë të fortë përulje. Si askush tjetër në botë ne kemi fjalën ‘Mëmëdhe’, një fjalë që shpreh dashurinë e madhe ndaj vendit ku jemi lindur. Gratë vlonjate janë fakti i gjallë i vlerave të vërteta të kësaj Vlore historike që kemi sot. Janë këto gra, nëna, motra e bija që kanë trashëguar në bijtë e tyre dashurinë për Vlorën, pasionin, bujarinë, ambicien dhe kërkesën për më mirë, ndjenjën e vërtetë të lirisë. Edhe unë jam bir i një nëne mavronjote, nga e cila kam marrë dhembshurinë, bujarinë, pasionin për Vlorën”, shtoi ai.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi dje regjistrimin e Dionis Sotës, si kandidat për kryetar të bashkie të Vlorës për zgjedhjet e datës 9 nëntor 2025.

Sota garon si kandidat i propozuar nga zgjedhësit, ndërkohë që ka marrë edhe mbështetjen e Partisë Demokratike dhe disa partive të tjera opozitare.

/m.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›