Celibashi: Janë 201 795 votues nga jashtë, 1 971 fletëvotimi të pavlefshme

TIRANË, 19 maj /ATSH/ Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhje Ilirjan Celibashi bëri me dije se janë edhe 50 mijë fletëvotimi nga jashtë për t’u numëruar sa i përket votave për kandidatët.
Në një konferencë për mediet sot Celibashi evidentoi gjithashtu se “201 795 është numri i fletëve të votimit të vlerësuara, prej të cilave 199 824 janë fletëvotimi të vlefshme. 1971 janë të pavlefshme. Për ta kuptuar më qartë, janë 201 795 votues nga jashtë”.
“Numri i votave për kandidatët nga një vlerësim paraprak janë rreth 50 mijë të tilla. Janë rreth 50 mijë vota për kandidatë që janë akoma për t’u vlerësuar për 9 qarqe”, tha Celibashi, ndërsa në Kukës, Shkodër dhe Dibër numërimi ka përfunduar.
Celibashi shtoi se “në momentin që flasim po vazhdon vlerësimi i fletëve të votimit për kandidatët, janë duke u rivlerësuar. Po vlerësohen vetëm ato fletëvotimi në të cilat ka pasur votë për kandidatët”.
Celibashi theksoi gjithashtu se “janë 201 956 dërgesa apo dokumentacion zgjedhor unik të dorëzuar nga DHL në KQZ. Janë zarfe të DHL-së të dorëzuar në KQZ, zgjedhës që e kanë kthyer mbrapsht fletën e votimit nëpërmjet shërbimit të DHL, dhe janë 353 dërgesa të tjera postare unike, pra zgjedhës të tjerë të cilët e kanë kthyer në KQZ jo nëpërmjet DHL. Nga 353 të tilla 107 i janë nënshtruar procesit të shqyrtimit dhe vlerësimit nga KQZ”, tha Celibashi.
Celibashi shtoi se këto zarfe nuk kanë ardhur nëpërmjet rrugës normale, por shërbimit postar të operatorit tjetër postar, përfshirë dhe Postën Shqiptare.
“6 zgjedhës e kanë dorëzuar personalisht. 347 të tjerë kanë ardhur me postë tjetër. I kemi garantuar që dërgimi i zarfeve të bëhet nëpërmjet një operatori të zgjedhur për të cilin zgjedhësi nuk paguante kosto shtesë. Asnjë prej zgjedhësve nuk pengohej që këtë zarfin ta dërgonte nëpërmjet një shërbimi tjetër postar”, u shpreh Celibashi.
/r.e/a.f/