Ministria e Mbrojtjes: Forcojmë kapacitetet e Shqipërisë në mbrojtjen kibernetike

TIRANË, 19 maj/ATSH/ Investimi në kapacitetet njerëzore është prioriteti i Ministrisë së Mbrojtjes, bazuar në objektivin për forcimin e sigurisë kombëtare.
Në këtë drejtim, Ministria e Mbrojtjes vlerësoi sot pjesëmarrjen e Njësisë Ushtarake të Sigurisë Kibernetike (NJUSK) në stërvitjen ndërkombëtare “Cyber Yankee 2025”, një nga aktivitetet më të rëndësishme në këtë fushë me fokus në forcimin e kapaciteteve të Shqipërisë.
Stërvitja ndërkombëtare “Cyber Yankee 2025” konsiderohet një nga më të rëndësishmet në nivelin taktik për mbrojtjen e infrastrukturës kritike në Shtetet e Bashkuara, që bashkoi mbi 300 ekspertë të fushës nga forcat e armatosura amerikane, agjenci federale dhe shtetërore, partnerë ndërkombëtarë dhe sektori privat.
“Ky angazhim konfirmon rolin tonë gjithnjë e më aktiv në arkitekturën globale të sigurisë kibernetike. Krijimi dhe fuqizimi i Njësisë së Sigurisë Kibernetike, angazhimi në partneritete ndërkombëtare dhe përfshirja në stërvitje të avancuara janë pjesë e një vizioni të qartë për ndërtimin e një force të armatosur të përgatitur për sfidat e së nesërmes”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Përballë rritjes së kërcënimeve hibride dhe kibernetike, Shqipëria vijon të ndërtojë një qasje të koordinuar dhe moderne për mbrojtjen e sovranitetit në hapësirën digjitale në bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë strategjikë.
1 nga 7/m.m/r.e/a.f/