E Diel, 1 Nëntor 2026

Çështja ‘”Balluku”, SPAK kontrolle ndaj familjarëve të ish-ministres, dërgon letërporosi jashtë vendit

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dhe ka marrë miratimin e GJKKO-së për të kryer të paktën 15 kontrolle të reja në kuadër të hetimeve ndaj ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Ajo është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tenderin e tunelit të Llogarasë dhe po hetohet gjithashtu për procedurat e 7 loteve të Unazës së Madhe.

Kontrollet janë shtrirë edhe te familjarë dhe persona të afërt me ish-zv.kryeministren. Një prej banesave të kontrolluara është ajo e Mired Recit, djali i tezes së Ballukut.

Hetimet po fokusohen edhe te pasuria dhe aktiviteti i disa shoqërive tregtare ku ai rezulton ortak me Meland Qirkon, kunatin e Ballukut.

Prokurorët e posaçëm kanë kërkuar informacion edhe jashtë vendit përmes letërporosive.

Balluku ndodhet nën hetim nga SPAK që prej tetorit të vitit 2025, ndërsa hetimet për tenderat e dyshuar janë zgjatur me tre muaj për të mundësuar veprime të tjera hetimore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›