E Martë, 3 Nëntor 2026

DAMASK – Siri-SFD-SHBA diskutojnë riintegrimin e kurdëve në bisedime të nivelit të lartë

DAMASK, 9 korrik /ATSH-DPA/- Presidenti sirian, Ahmed al-Sharaa priti sot komandantin e Forcave Demokratike Siriane (SDF) Mazloum Abdi dhe të dërguarin special të SHBA-së në Siri, Thomas Barrack – për të diskutuar riintegrimin e zonave të kontrolluara nga kurdët në shtetin sirian.

Bisedimet mund të çojnë në riformësimin e peizazhit politik në Sirinë e pasluftës.

Delegacioni shkoi në Damask për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes së 10 marsit të nënshkruar me qeverinë siriane.

Marrëveshja përcakton kushtet për rivendosjen e autoritetit shtetëror në Sirinë verilindore, e cila kontrollohet kryesisht nga kurdët.

Delegacioni përfshinte gjithashtu Ilham Ahmed dhe Fawza Youssef, të cilët përfaqësonin Administratën Autonome Kurde.

“SDF ka qenë e ngadaltë në pranimin dhe negocimin e kushteve dhe këshilla ime është të përshpejtojë ritmin”, tha i dërguari i SHBA-së, Barrack, në një intervistë për rrjetin mediatik kurd “Rudaw”. “Po na mbaron koha”, shtoi ai.

Burime qeveritare siriane thanë se Barrack ka informuar Damaskun se të gjitha forcat e SDF-së do të tërhiqen nga lindja e lumit Eufrat deri më 17 gusht.

“Bisedimet u përqendruan në shpërbërjen e institucioneve paralele dhe integrimin e qeverisjes lokale në strukturat kombëtare”, thanë burimet. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›