E Diel, 1 Nëntor 2026

"Ju rrëfej epopenë e Adem Jasharit dhe familjes së tij"

Në pjesën e parë të këtij shkrimi të botuar në numrin e djeshëm, nëpërmjet intervistës ekskluzive për gazetën "Shqip" të zotit Bedri Islami (gazetar, publicist dhe shkrimtar i njohur, i cili që prej disa vitesh jeton në Gjermani), ish-drejtuesi kryesor i organizatës Lëvizja Popullore e Kosovës, u njohëm me figurën, personalitetin e rolin deçiziv të Adem Jasharit dhe burrave të tjerë të familjes dhe fisit të tij, në fillesat dhe organizimin e luftës guerile, dhe më pas asaj të organizuar nga UÇK-ja kundra forcave ushtarake dhe policore që kishin okupuar Kosovën që në fillimin e viteve ‘90. Në pjesën e dytë të këtij shkrimi po publikojmë vazhdimin e intervistës ekskluzive të zotit Islami, si dhe një letër të rrallë të dërguar nga Drenica prej Adem Jasharit që në dhjetorin e vitit 1997. Kjo letër ruhet në arkivin e organizatës Lëvizja Popullore e Kosovës dhe publikohet për herë të parë nga "Shqip" me gjithë faksimilen e saj.

(vijon nga numri i kaluar)

Zoti Islami, a ka qenë e mundur që lufta të niste më herët dhe udhëheqjen e saj ta merrte Adem Jashari?

Nëse Adem Jashari do të kishte pasur konceptin e ngushtë për luftën, pra në se ai do të kishte menduar se "hajt, po ja fillojmë...", gjithë ata njerëz që kishin rrethuar malin do të ishin një ngasje e madhe për ta bërë këtë. Një njeri i zakonshëm, i revoltuar, i gatshëm të luftojë, ndoshta do e kishte parë të arsyeshme se "mund t‘ia fillojmë". Në fund të fundit do të kishte qenë e justifikueshme. Aq më shumë kjo do të kishte qenë e justifikueshme në momentet e dhimbjes vetjake, kur sheh se gjithë anëtarët e familjes janë peng i pushtuesit, kur djemtë janë lidhur dhe nuk dihet fati i tyre. Por kjo do të ishte e natyrshme për një njeri të zakonshëm, jo për njerëz që kthejnë për së mbari historinë dhe jetën e një kombi. Mendimi vizionar i Adem Jasharit për të ngritur në radhë të parë strukturat e luftës, mbështetur jo vetëm te një njeri, te një familje apo te një fis, dëshmoi se kishte qenë i drejtë dhe i saktë. Fakti se rreth tij u mblodhën, në një mënyrë ose në një tjetër, nga larg ose nga afër, të gjithë ata që do të ishin njëkohësisht pjesë dhe realizues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të çon pashmangshëm te mendimi tjetër: cilët ishin ata te të cilët Adem Jashari kishte falur besimin e tij të madh dhe kishte rrokur besën se do u shkonin punëve deri në fund?

Në historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, a ka një datë të njohur, në të cilën janë marrë vendime të rëndësishme?

Ka një datë të tillë. Është 5 prilli i vitit 1993, kur bëhet Mbledhja e njohur në Kullën e Jasharëve. Mendoj se është njëra nga datat më të rëndësishme të luftës. Edhe në këtë mbledhje, Adem Jashari nuk e vendos veten mbi të tjerët, sepse as që e kishte ndër mend një gjë të tillë. Fjalë pak si gjithnjë, atë e brenin rishtas dy halle të mëdha: ecuria e ushtrisë që po ngrihej, emërtimi i saj dhe, më e rëndësishmja, ai rikthehej te mendimi i tij për përgjegjësinë politike të aksioneve. Mbledhja e 5 prillit në Prekaz ishte njëra ndër më të rëndësishmet për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Disa nga emrat e njohur të luftës do të ishin pjesë e saj, mes të cilëve edhe Hashim Thaçi, Fadil Kodra, Hamit Jashari, Sahit Jashari, Besim Rama, Rafet Rama, Jakup Nura, Ilmi Zeka, Jakup Krasniqi, Sami Lushtaku e të tjerë. Fakti që mblidheshin në kullat e Jasharëve, megjithëse ndodhej nën vëzhgimin e përhershëm dhe mund të sulmoheshin, dëshmon për dy gjëra: sigurinë që afronte ajo dhe rolin prijatar të Adem Jasharit.

Si është njohur roli dhe funksioni drejtues i Adem Jasharit? Përmes cilave kanale ka kaluar një gjë e tillë?

Me gjithë se ai kurrë nuk e kërkonte një gjë të tillë, pra të ishte prijës, e gjithë kjo, brenda Kosovës, u bë krejt natyrshëm, si diçka e zakonshme dhe e kuptueshme. Nëpër portat e atyre kullave do të hynin: Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi, Sulejman Selimi, Nait Hasani, Ramiz Lladrovci, Jakup Krasniqi, Iliaz Kodra, Nuredin Lushtaku, Abedin Rexha, Kadri Veseli... Më parë e kishin bërë këtë rrugë Ahmet Haxhia dhe Ramadan Avdiu. Më pas do të shkonin drejt saj Adrian Krasniqi dhe Daut Haredinaj. Do të kishin lidhje me të: Xhavit Haliti, Ali Ahmeti, Fehmi Lladrovci. Kjo do të thotë se bashkëpunëtorë të tij ishin thuajse të gjithë emrat e njohur të luftës. Kjo nuk ka qenë rastësi dhe nuk do të ishte po ashtu e rastësishme që në ditët më të vështira do e kishin të domosdoshme mbështetjen tek emri i Adem Jasharit. Krejtësisht logjikshëm ai u bë qendra e luftës, dhe rrjedhja e mëpasme e ngjarjeve dëshmoi vërtetësinë e thënies së Shaban Jasharit se "besën po ua jap, nëse kërcet në Prekaz, ka me kërcitë në të gjithë Kosovën".

Dhe kur e si kërciti në Prekaz?

Fisi i Jasharëve ka njohur tri rrethime nga forcat policore dhe paraushtarake serbe. Për herë të parë ata janë rrethuar më 30 dhjetor të vitit 1991 dhe prej asaj dite ka filluar edhe ilegaliteti i Adem Jasharit. Për herë të dytë ata u rrethuan në 22 janar të vitit 1998, dhe dy muaj më vonë, në fillimin e marsit, ku ndodhi edhe beteja e njohur tashmë në histori. Në rrethimin e dytë dhe të tretë kanë qenë pjesë edhe forcat paraushtarake të Arkanit dhe ai vetë. Natyrisht rrethimi i tretë ka qenë edhe më i shumëfishtë. Mund të them se ka qenë i disafishtë dhe me gjithë përpjekjet që janë bërë për t‘u ardhur në ndihmë, përsëri ka qenë e vështirë, në mos e pamundur. Lufta ka zgjatur më shumë se dy ditë dhe dy net. Kanë luftuar të gjithë, që nga plaku i shtëpisë, daja i Ademit, që kishte qenë mik asaj nate dhe deri te fëmijët mbi 12 vjet. Njëri prej fëmijëve, Fitimi, është gjetur i vrarë me automatik në dorë, në oborrin e shtëpisë. Në tri kullat e Jasharëve janë varë 26 vetë, ndërsa nga i gjithë fisi i tij 57 vetë. Si ju thashë, gjatë gjithë kohës Ademi ka kënduar këngën e Çerçiz Topullit. Ai është vrarë i fundit dhe pas rënies së tij, për disa orë askush nuk u është afruar kullave të djegura. Por pas luftës në Prekaz është e vërtetë se kërciti në të gjithë Kosovën. Në atë kohë unë kam pasur drejtimin e organizatës, që drejtonte politikisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe e di fare mirë se si rënia e tyre u shndërrua në një mrekulli, të cilën, them të drejtën, nuk e kishim menduar kurrë se do të ndodhte në ato përmasa.

Letra e rrallë, e dërguar ekskluzivisht për gazetën "Shqip" nga Bedri Islami

Dëshmia historike e një letre dërguar nga Drenica

Kjo letër, e dërguar nga Adem Jashari dhe e shkruar nga i vëllai, Hamza, si dhe e nënshkruar nga një grup luftëtarësh të Drenicës, është një ndër mesazhet e luftës. Natyrisht ajo nuk është shkruar me mendimin se do të botohet ndonjëherë; ajo është një letër mes shokëve të luftës, flet për realizimin e një aksioni dhe për probleme të tjera. Por, në gjithë secilin rresht të saj, tepër dukshëm mund të shikosh atë që do të vinte më pas. E shkruar thjesht, si gjithçka që është madhërisht e bukur, pa fjalë të mëdha dhe pa mburrje, ajo mbart në vete dëshminë historike, jo vetëm të një beteje. Kjo letër është shkruar në fundin e vitit 1997, më saktësisht në dhjetor të këtij viti. Fillimisht ajo është faksuar nga jashtë Kosovës, sipas të dhënave nga një faks në aeroportin e Shkupit, e më pas ka ardhur edhe origjinali, pas disa ditësh, përmes kanaleve ilegale. Letra ruhet sot në arkivin e Lëvizjes Popullore të Kosovës, ku edhe është adresuar, ndërsa një kopje e saj ruhet në Kosovë. Këtë letër po e publikojmë pothuajse të plotë.

"Të dashur shokë e vëllezër!

Disa të dhëna rreth ngjarjes në fshatin Vojnik, të ndodhur me 25 nëntor 1997 në mes forcave tona dhe të policisë sekrete të okupatorit serb. Ngjarja fillon me lajmërimin e një automjeti civil të tipit "Niva" me katër persona civilë, i cili bënte lëvizje të dyshimta në fshat, nga lagjja në lagje. Atë e vërejtëm dhe e përcollëm deri sa erdhi tek lagjija e Binakajve dhe pikërisht afër shtëpisë ku gjendet veprimtari ynë. Sipas rrëfimit të shokut, ky tentoi t‘i identifikojë, por ata tentuan ta tradhtojnë, duke u paraqitur njëri prej tyre se "jemi shqiptarë" dhe porsa ai e mbaron fjalën, njëri prej tyre shtien disa herë me revolver, në drejtim të veprimtarit tonë. Shkathtësia e tij e shpëtoi nga plumbat dhe me shpejtësi të madhe ky ia kthen automatikun dhe e qëllon automjetin dhe dihet se i ka qëlluar disa nga të ndodhurit brenda. Të dyshimtit largohen me shpejtësi të madhe nga vendi i ngjarjes, duke lënë në vend shenjat e xhamave të thyer dhe shenja gjaku. Kjo ka ndodhur rreth orës 14.00. Pasi largohen të dyshimtit, ky kthehet në shtëpi dhe bashkohet edhe me tre shokët e tjerë, të cilët ishin të gatshëm për ndihmë, por rreziku mendohej se kaloi. Vendosën të mos largohen nga fshati se mos ndodh ndonjë intervenim i mundshëm policor. Ashtu edhe ndodhi. Pas dy orësh, pra rreth orës 16.00, në fshat hyjnë dy autoblinda, të shoqëruar edhe nga një "NIVË" dhe mësyjnë lagjen e Binakajve. Këta, shokët tanë, zënë pozicionet në malin e afërt dhe në gardhiqet e afërta. Porsa mbërrin ekspedita ndëshkuese e forcave speciale, zbresin nga blindat dhe fillojnë të shtiejnë drejtimesh të ndryshme, për të përhapur panik. Por, në atë kohë, forcat tona, të përbëra, si e thamë edhe më lart, nga katër persona, hapin zjarr dhe e kthejnë konfliktin mes tyre dhe ekspeditës ndëshkuese serbe. Të pabarabartë në numër e në teknikë, bëhet tërheqja në drejtim të pyllit. Forcat speciale serbe shtinin pa ndërprerje dhe filluan të afrohen, çka u detyruan të përdorim bombat, edhe pse të pakta. Atëherë, me përdorimin e bombave, serbët u tërhoqën në autoblinda dhe lufta bëhej vetëm nga autoblindat. Kjo zgjati deri rreth orës 18, por nuk mundën të na shtiejnë nga pozicioni që e zumë në pyll. Kjo i shtyri të largohen me shpejtësi të madhe nga lagjja dhe fshati. Nga ana jonë nuk patëm viktima ose të plagosur: Kurse nga ana e armikut ka patur shenja gjaku në vendin e ngjarjes, sidomos të shumta ishin ku janë përdorë bombat. Sa i përket organizimit të mëvonshëm dhe informimit të antarëve, ngjarja zhvillohet kështu: Në organizimin tonë ekzistojnë edhe vëzhguesit e terrenit. Njëri prej tyre vëren autoblindat duke shkuar në drejtim të Klinës apo Turiqevc, deri sa për rastin që biseduam më lart, kishim informata. Bëhet lajmërimi i disa prej punkteve tona dhe ata bënë lajmërimin e antarëve, por vetëm të jemi të gatshëm, që porsa të marrim lajmin se çfarë po ndodh në terren, të jemi të gatshëm për ndihmë. Nata e bëri të vetën dhe me vonesë u bë e ditur se ishte fshati Vojnik ku shkuan forcat policore. Edhe pse ne shpejtuam drejt Vojnikut, tërheqja e policisë bëri që të mos konfrontohemi atë mbrëmje. U tubuam dhe konstatuam se nga forcat tona nuk kishte humbje. Vendosëm që të jemi në vëzhgim të terrenit, në të gjitha rrugët që të shpien drejt vendit të ngjarjes. Dërguam vëzhguesit, pra edhe të tjerët, vendosëm, pasi e morëm edhe pëlqimin e shokut në ngjarje të drejtpërdrejtë që: nëse policia do të ndërmarrë ndonjë operacion ndëshkues, të bëjmë rezistencë. U vendos që para mëngjezit të zihen pikat më strategjike në rrugët që shpien drejt rajonit të rrezikuar, duke e patur parasysh se forcat mund të ndërhyjnë nga Mitrovica, Peja, por edhe nga Prishtina. U caktuan grupet që do të zënë pritat, por edhe vëzhguesit për lajmërim. Çdo gjë në Drenicë dhe rreth saj ishte nën kontroll. Dëshira jonë ishte dhe luteshim, që bash në vendin ku edhe ndodhi konfrontimi, të jetë ashtu. Pra aty e parashikonim se do të korrnim fitore. Kemi pasë mundësi edhe më herët, pra në vend tjetër t‘i "shkurtojmë", por bash aty, ku edhe e dëshironim, na erdhën. Ishim disa grupe, në disa prita. Kolona ishte e gjatë. Kishim lajmin nga vëzhguesit se janë të shoqëruar edhe me helikopterë. I pritëm deri sa hynë në mesin e të gjithë grupeve nga 3-4 e deri në 5 veta në grup, ku numri i përgjithshëm nga ne ishte prej 23 vetash (kuptohet prej fshatit Lludeviq deri tek vendi i quajtur "kryqat e popit"). Të tjerët ishin në vende të tjera, për të mos i përshkruar tash të gjitha. Kolona hyri ku dëshironim. Së pari sulmuam me minahedhës, e pastaj disa me bomba e disa me armë zjarri të ndryshme, si automatikë, snajperë e mitralozë. Konfrontimi filloi rreth orës 10 ku zgjati deri rreth orës 13-14. Operacioni ishte shumë i vështirë, luftë e ashpër, e pandërprerë, harxhuam shumë municione, sidomos në helikopterët. Disponimi në forcat tona ishte në nivel, edhe pse disa ishin në paren. Përveç harxhimeve në municion, nga forcat tona nuk pati humbje e as të plagosur. Çka është më e rëndësishmja, edhe fshatarët e këtyre anëve u përgjigjen dhe u mbushën malet me luftëtarë të gatshëm, ku gjatë tërheqjes policia u sulmua nga të gjitha anët, e ku policia në panik shtiu kah mundi, në objekte civile, shkolla e xhami. Pasi i shtymë të tërhiqen forcat speciale serbe, shkuam në vendin e ngjarjes ku ishin forcat armike. Ata kishin lënë në vend shumë dëshmi që të tregojnë se kanë pasur humbje dhe se kanë qenë të hendikepuar nga paniku. Gjetëm municion të ndryshëm të kalibrit të madh e deri tek revolverët, veshje antiplumb të përgjakura, shlema, karikatorë të ndryshëm, maska kundër gazrave, patrona lotësjellës e shumë e shumë të tjera. E gjithë rruga që nga fshati Lludeviq e deri në vendin "Kryqat e popit" ishte e mbuluar nga gëzhonjat. Damet e pësuara nga armiku, çka na i kemi parë, janë një autoblind i kallur, një i prishur, mitralozin e shkatërruar, njërin nga "pizgauerët" e djegur e disa blinde të damtuar pjesërisht. Helikopteri dyshojmë se ka qenë i goditur, se shumë shpejt u largua dhe më nuk u duk, duke i lënë forcat e veta të vetmuara, gjysëm ore para se të tërhiqeshin. Kemi kërkesa të mëdha për antarsim, por mungon armatimi. Shumë pak keni punuar në këtë drejtim. Prandaj shokët që veprojnë në këtë trevë të Drenicës, kërkojnë që të përfaqsohemi me nji nga shokët tonë të mëhershëm që tani e disa kohë gjendet jashtë, nën emrin e tij konspirativ "VESHI". Në fund të këtij rrëfimi ju përshendesim përzemërsisht nga Drenica. Lavdi të rënve për liri.

Nga një grup shokësh."

Të nënshkruar

Rafeta,

Gipa,

Zena,

Dili,

Nura,

Dyli,

Gafurri.

Kush janë të nënshkruarit e kush është "Veshi"

Një sqarim për lexuesit: "Rafeta" ishte pseudonimi i Adem Jasharit, "Gipa" i Iliaz Kodrës (komandant i brigadës "Fehmi Lladrovci", vrarë në luftë). "Zena" ishte Zenun Kodra, "Dili" ishte Fadil Kodra, "Nura", Nuredin Lushtaku, "Dyli", Hamzë Jashari, "Gafurri", Abedin Rexha, i njohur më vonë si "Sandakani", komandant brigade, i vrarë në luftë. Nga shtatë të nënshkruarit, katër janë vrarë në luftë, tre të tjerët janë sot në TMK, me gradat superiore gjeneral major e më tej. Ndërsa "Veshi" ishte emri konspirativ i Ramiz Ladrovcit, gjatë luftës i caktuar me detyra të një rëndësie të veçantë pranë Lëvizjes Popullore të Kosovës, si përfaqësues i saj në Shqipëri dhe pranë Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Jam mrekulluar gjithnjë prej kësaj letre, që kur e kam pasur në duar për herë të parë, mrekullohem edhe tani. Përgjithësisht aksionet e ndryshme të UÇK-së janë informuar në Shtabin e Përgjithshëm ose në Kryesinë e Organizatës. Disa prej tyre ruhen ende. Por kjo letër, e shkruar thjesht, nganjëherë duke u rënë shkurt disa ngjarjeve, ka në vete edhe një vlerë të madhe: asnjëherë e askund nuk mund të gjesh mburrje, rrahje gjoksi, askund nuk gjen emra të përveçëm, se ishte ai apo isha unë, por gjithçka mbeti në emrin e shokëve dhe të luftëtarëve të lirisë. Rreth tre muaj pas kësaj letre, Adem Jashari u vra në luftë. Mirëpo kushdo që ka rastin të lexojë këto radhë, mund të kuptojë fare mirë se asgjë nuk ka qenë e rastësishme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›