E Diel, 1 Nëntor 2026

Debat në “Administrative”, gjykata refuzon ndërhyrjen e Tom Dedës, Ndreca: Duhet të jetë palë. Avokati i Dados: Nuk ka lidhje me çështjen

Në Gjykatën Administrative ka vijuar shqyrtimi i padisë së Erion Veliajt ndaj prokurorit Ols Dado, ku palët janë përfshirë në një debat të fortë lidhur me kërkesat për ndërhyrje në proces dhe ligjshmërinë e emërimit të prokurorit.

Gjatë seancës, avokatët e Veliajt kërkuan që ish-prokurori Tom Deda të pranohet si palë në proces, duke argumentuar se çështja lidhet me ligjshmërinë e emërimit të një prokurori dhe pasojat që, sipas tyre, ka sjellë ky emërim.

Përfaqësuesi ligjor i Veliajt, Ndreca, u shpreh se gjykata po shqyrton veprimtarinë e organit të prokurorisë dhe ngriti pretendime për mënyrën e emërimit të Dados.

“Deda thotë se Dado është emëruar duke paguar para, pronë dhe një shtëpi në Pogradec. Pyetja është: a vlerësoni se emërimi i Dados është bërë mbi bazën e lidhjeve dhe interesave?”, u shpreh Ndreca.

Gjyqtari ndërhyri duke sqaruar se këto çështje lidhen me themelin e gjykimit dhe jo me fazën aktuale të legjitimimit të palëve.

“Pyetjet duhet të lidhen me pozicionin, çfarë është, çfarë ka qenë dhe pse ka interes në gjykim. Për të tjerat, është pjesë e shqyrtimit në themel”, tha gjyqtari.

Ndreca këmbënguli se pranimi i Dedës si palë është i domosdoshëm, pasi sipas tij mënyra e emërimit të një prokurori dhe pasojat e këtij emërimi prekin interesin publik.

Nga ana e tij, Erion Veliaj deklaroi se pretendimet e Tom Dedës duhet të merren në konsideratë gjatë procesit.

“Deda kërkon që Dado është paguar ose përdorur për rrëmbimin e kryebashkiakut. Ky deklarim i tij duhet marrë si provë”, tha Veliaj.

Ndërkohë, mbrojtja e Ols Dados kundërshtoi përfshirjen e ish-prokurorit në proces, duke argumentuar se dokumentet e paraqitura prej tij nuk lidhen me çështjen.

Avokati i Dados deklaroi se akti i kontrollit ndaj Dedës është një vit para shkarkimit të tij dhe nuk ka lidhje me emërimin e Dados.

“Dado është emëruar në vitin 2008, ndërsa Deda është shkarkuar në vitin 2009. Akti i Dedës është marrë në shqyrtim. Kërkojmë që Deda të mos merret si palë në këtë çështje”, tha avokati.

Në fjalën e tij, Veliaj përsëriti pretendimin se Ols Dado nuk ka përmbushur kriteret ligjore për të qenë prokuror.

“Nëse Dado do të kishte sjellë dëftesat e Magjistraturës, do ta kishim mbyllur këtë histori. Ai nuk ka mbaruar Magjistraturën dhe nuk duhet të jetë prokuror”, tha Veliaj.

Ai shtoi se sipas tij, çështja lidhet me besimin te institucionet e drejtësisë.

“Ky prokuror ka veshur kostumin e prokurorit dhe sillet si bandit që rrëmben qytetarët. A mund ta themi këtë edhe në mënyrë ligjore? Nëse ka prova për emërime me para apo prona, do bëjmë verifikimet tona”, u shpreh Veliaj.

Nga ana tjetër, mbrojtja e Dados argumentoi se pretendimet e Veliajt duhet të ngrihen në procese të veçanta dhe jo brenda kësaj çështjeje.

“Nuk ka asnjë fakt, nuk ka asnjë pasojë. Nëse Veliaj ka pretendime për prokurorin, t’i paraqesë në GJKKO. Nëse do të legjitimohej kjo kërkesë, do të krijohej precedent dhe do të çonte në cenimin e institucioneve”, deklaroi avokati i Dados.

Pas përfundimit të diskutimeve, gjykata u tërhoq në dhomën e këshillimit, ku vendosi që Tom Deda të mos ishte palë në proces.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›