E Diel, 1 Nëntor 2026

Debate për Avokatin e Popullit, Strazimiri: PD është tërhequr nga të gjitha firmat. Manja: Çështja s’i takon komisionit, por Kuvendit

Mbledhja e Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike nisi me debate mbi kandidatët për vendin vakant të Avokatit të Popullit.

Kreu i komisionit, Ulsi Manja, theksoi se duhet miratuar raporti për kandidatët që kanë plotësuar kriteret, në mënyrë që çështja të kalojë për votim në seancën parlamentare.

Por kjo u refuzuar nga opozita, ku deputeti i PD-së, Gent Strazimiri, argumentoi se PD-ja ka tërhequr mbështetjen për të gjithë kandidatët, duke nënvizuar se firmat e mbledhura para datës 17 nëntor janë të pavlefshme dhe asnjëri nga kandidatët nuk plotëson kushtet ligjore.

“Është depozituar në Kuvend një akt nga PD ku të gjithë deputetët tërheqin  mbështetjen për secilin prej kandidatëve nga i pari tek i fundit për Avokatin e Popullit. Është zyrtare dhe nëse merr parasysh këtë do të thotë që asnjëri prej kandidatëve nuk e ka mbështetjen sipas rregullore. Ne votuam rregullin se një kandidat nuk mund të ketë më shumë se një firmë deputeti, dhe në bazë të kësaj që secili prej kandidatëve që ka mbledhur firmat përpara datës 17 nëntor firmat janë të pavlefshme. PD ka tërhequr mbështetjen të gjithë kandidatët dhe firmat e PD nuk mund të llogariten. Asnjëri prej kandidatëve nuk i plotëson kushtet për të qenë kandidatë”, Strazimiri.

Ulsi Manja u përgjigj duke theksuar se komisioni nuk ka atribut për tërheqjen publike të firmave dhe se këtë e njofton kryetari i Kuvendit në seancë plenare.

“E kam thënë që një kandidat nuk mund të mbështete më shumë se nga një deputet, por ju nuk më keni pyetur pasi keni zbatuar direk ligjin organit për Avokatin e Popullit që nuk përcakton nëse një kandidat mund të mbështesë vetëm nga një deputete apo më shumë se nga një deputete dhe këtë e keni bërë ju. Sa për tërheqjen publikisht të firmave ne jemi përgjegjës për përmbylljen e  procedurës, njoftimin se jeni tërhequr nga firmat nuk është atribut i këtij komisioni dhe duhet ta njoftoje kryetari i kuvendit në seancë plenare. Këto 6 kandidatë që plotësojnë kushtet dhe kriteret ligjore për të qenë pjesë e garës me këto firma që kanë mbledhur, pastaj çështja e tërheqjen së vullnetit të deputetëve që kanë dhënë këto firma është çështje që i takon seancës dhe jo këtij komisioni”, tha Manja.

Debati vijojë më tej ku Strazimiri akuzoi Manjën se po deformon vullnetin dhe po i çon seancës një të pavërtetë, duke shtuar se mungesa e informacionit nga kryetari i Kuvendit nuk e justifikon këtë veprim.

“Ti po deformon vullnetin dhe po i çon seancës një të pavërtetë. Fakti që Niko Peleshi nuk të ka informuar nuk të justifikon që ta kalosh këtu në komision këtë çështje”, tha Strazimiri.

Më herët mazhoranca ka deklaruar se nuk do të propozojë asnjë emër për Avokat Populli por do të mbështesë një nga kandidaturat që janë dërguar nga opozita. Por vetë opozita u tërhoq publikisht nga mbështetja e këtyre kandidaturave pak javë më parë, duke tërhequr firmat.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›