Debati për "xhaketat e zeza", Skënderbeu tërheq bojkotin
Skënderbeu bën prapaktheu. Pasi kanë deklaruar publikisht vendimin për t‘u tërhequr nga Kategoria Superiore, mbledhja e kryesisë së klubit ka ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve. Në gjaknxehtësi e sipër, të dielën, përfaqësuesi i Shoqatës së Futbollit "Skënderbeu", Gjergji Gulimaçi, bëri të ditur se drejtuesit e klubit do të largonin skuadrën nga aktiviteti, për shkak të vendimeve të gjyqtarëve, që kanë dëmtuar skuadrën. Si pika e fundit që derdhi gotën ka shërbyer humbja 3-1 në fushën e Shkumbinit, ku "ujqërit e dëborës" kanë pretendime për tre episode kyç të ndeshjes: goli i parë është shënuar nga 11-metërsh inekzistentë, në golin e dytë të vendasve të shënuar nga Nora, sulmuesi peqinas ishte në pozicion të dukshëm jashtë loje dhe kartoni i kuq i Drabajt që ishte i gabuar. Skënderbeu renditet në vendin e fundit të klasifikimit dhe rënia një kategori më poshtë duket e pashmangshme. Por klubi ka pretenduar gjatë se në këtë situatë kanë pasur gisht edhe "bilbilat", të cilët kanë ndikuar në rezultat, madje edhe në takimet me ekipet kryeqytetase, të tria pretendente për fitimin e titullit. Megjithatë, në takimin e djeshëm të kryesisë është vendosur që vendimi për bojkotimin e kampionatit të ndryshojë, duke vazhduar rregullisht sezonin. Kushti kryesor i vendosur për FSHF-në dhe sektorin e garave ka qenë që gjyqtarët Tanush Latifi, Sazan Velçani dhe Pajtim Lapi të mos lejohen të arbitrojnë ndeshjet e ardhshme të Skënderbeut.
Pretendime për gjykimin në javën 19-të ka pasur edhe Partizani. Të gjithë njëzëri (presidenti Xhani, trajneri Lika dhe lojtarët) kanë deklaruar se vendimet e gjyqtarit Tanush Latifi ndikuan drejtpërdrejtë në barazimin 3-3 me Besën. Por, përgjegjësi i ri i gjyqtarëve, Plarent Kotherja, deklaroi se ato ishin gabime njerëzore dhe jo tendencioze. "Dy pozicionet jashtë loje të akorduar nga gjyqtarët nuk kanë ndikuar në rezultatin final të ndeshjes, pohoi ai. Ato janë thjesht vendime problematike, që do të marrin përgjigjen e duhur nga FSHF-ja".