"RTL Group" siguron të drejtën televizive
Kompania "RTL Group" është fituesja e së drejtës televizive të transmetimit të ndeshjeve të kombëtares shqiptare të futbollit për edicionin e ardhshëm. Ky është vendimi i marrë dje nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, që ka publikuar edhe përfundimin e tenderit për edicionin e eliminatoreve të Botërorit 2010, që ka dekretuar fituese kompaninë më të madhe të transmetimit televiziv në Evropë. Anëtarët e Komitetit Ekzekutiv e kanë aprovuar unanimisht ofertën e bërë nga kompania ndërkombëtare me qendër në Luksemburg, pasi e kanë cilësuar atë si më të mirën e realizuar ndonjëherë në historinë e futbollit shqiptar. Ndonëse nuk është bërë publike shuma e marrëveshjes së arritur me "RTL Group", burime pranë FSHF-së kanë bërë të ditur se termat financiarë të saj i kalojnë ato të kontratës së mëparshme me kompaninë "Sport Five", e cila kishte ekskluzivitetin e së drejtës televizive të ndeshjeve të përfaqësueses në dy edicionet e fundit. Komiteti Ekzekutiv vendosi që kontrata me "RTL Group" të jetë vetëm për këtë edicion, i cili përfundon më 31 maj 2010. Burime pranë FSHF-së kanë bërë të ditur se edhe kjo kompani televizive do të shfrytëzojë kontraktuesit e saj për të siguruar miqësore për kombëtaren shqiptare, ashtu siç vepronte më parë kompania "Sport FIVE", e cila në edicionet e kaluara bëri të mundur zhvillimin disa takimeve, kryesisht me skuadrat skandinave dhe baltike.