Dhuna në stadium, FSHF "karton të kuq" Tepelenës
Tepelena rrezikon përjashtimin nga Kategoria e Parë pas ngjarjeve të fundjavës ku tifozeria e saj sulmoi ekipin e Pogradecit në përfundim të 90 minutave të ndeshjes. Ndonëse Komisioni i Disiplinës do të mblidhet vetëm në mesjavë për të shqyrtuar protokollet e gjyqtarëve dhe vëzhguesve të ndeshjes, burime në FSHF kanë konfirmuar se Tepelena duhet të përgatitet për vendimin më ekstrem, përjashtimin nga kampionati dhe rënien në një kategori më poshtë në sezonin e ardhshëm. FSHF-ja dëshiron që të shmangë shfaqjet shqetësuese të dhunës në stadiume, arsye pse e ka shtyrë institucionin e futbollit të marrë vendime të tilla gjatë sezoneve të fundit, si në rastin e Burrelit gjatë kampionatit të kaluar.
Zyrtarisht, FSHF-ja ka publikuar vetëm qëndrimin e saj ndaj ngjarjeve të dhunës në kampionatin shqiptar, nëpërmjet një deklarate për shtyp që paralajmëron edhe masa të rënda për shkelësit. "Federata Shqiptare e Futbollit ka ndjekur me shumë seriozitet dhe shqetësim shtrirjen e dhunës në kampionatet tona të futbollit. Në mënyrë të veçantë, rasti më i fundit në ndeshjen Tepelena-Pogradeci, ku janë dhunuar fizikisht arbitrat e takimit, futbollistët dhe drejtuesit e ekipit udhëtues, është bërë objekt i një analize të thellë. FSHF-ja konfirmon zyrtarisht se dënon ashpër dhunën dhe nuk do të tolerojë në asnjë rast shfaqje të tilla që s‘kanë asgjë të përbashkët me futbollin. Kushdo që shkel Rregulloren dhe prish imazhin e futbollit do të marrë dënimet më të ashpra që përcakton Kodi i Drejtësisë Sportive. Federata Shqiptare e Futbollit i bën thirrje klubeve, drejtuesve, futbollistëve dhe publikut që të distancohen dhe të dënojnë akte të tilla që prishin imazhin e futbollit dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me mrekullinë e kësaj loje", shkruhet në deklaratën e publikuar dje nga zyra e shtypit të FSHF-së.
Në institucionin e futbollit, askush nuk i ka komentuar masat e mundshme që do të merren ndaj Tepelenës, pasi pritet raportimi i gjyqtarëve dhe vëzhguesve të ndeshjes. Sipas drejtuesve të FSHF-së, gjithçka që ka ndodhur në stadiumin e Tepelenës është përfshirë në protokoll nga gjyqtarët e ndeshjes, të cilët kanë qenë viktimat direkte të "tërbimit" të tifozerisë dhe skuadrës vendase. Në këtë rast, gjyqtarët nuk kanë menduar vetëm për veten, por kanë raportuar në protokollet e tyre në mënyrë të detajuar edhe masat e sigurisë në stadium, sulmin ndaj skuadrës së Pogradecit si dhe ndërhyrjen e forcave të rendit për të qetësuar situatën e krijuar. Tashmë pritet vetëm raportimi direkt para Komisionit të Disiplinës, i cili duket se nuk do ta ketë të vështirë të përsëritë vendimin e vitit të kaluar me Burrelin, përjashtimin direkt nga kampionati. Por në këtë rast, skuadra e Tepelenës do të detyrohet të kthehet në Kategorinë e Dytë gjatë sezonit të ardhshëm, pasi që tani gjendet në vendin e fundit të tabelës së klasifikimit të Kategorisë së Parë.