E Diel, 1 Nëntor 2026

Në koma Presidenti i Timorit Lindor

Kryeministri i Timorit Lindor, që i ka mbijetuar një kurthi rebel, thotë se sulmi ndaj tij bashkë me plagosjen e Presidentit të vendit, ishin një tentativë për grusht shteti. Qeveria këmbëngul se gjendja është nën kontroll pas përpjekjes së koordinuar për vrasjen e dy krerëve të vendit. Aktualisht, Presidenti Hose Ramos-Horta është në koma dhe mjekët thonë se gjendja e tij është kritike. Rebelët sulmuan shtëpinë e tij në agim, ndërsa pothuajse në të njëjtën orë, Kryeministri Xanana Gusmao i shpëtoi një kurthi të ngritur nga rebelët. Makina në të cilën gjendej ishte shpuar në të gjitha anët nga plumbat, por ai ka dalë i paprekur. Ish-kolonia portugeze ka marrë pavarësinë nga Indonezia vetëm në 2002-shin. Gjakderdhja e dy viteve më parë ka shkaktuar 37 të vrarë dhe mijëra të tjerë të larguar. Njeriu që mendohet se qëndron pas këtij grushti shteti, është një ish-major i ushtrisë, Alfredo Reinado, që mësohet se është vrarë nga rojat e Presidentit. Ai u vendos në krye të një grupi ushtarësh rebelë, që nga 2006-a, kur qeveria e mëparshme largoi nga ushtria një të tretën e forcave të akuzuara për dezertim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›