Çani: Më shumë se Vierit, i ngjaj Ibrahimoviçit
Për të interesoheshin skuadra të mëdha nga Italia dhe Anglia. Interi, Fiorentina, Udineze dhe Mançester Siti janë vetëm disa prej klubeve të njohura që dëshironin të merrnin Edgar Çanin. Megjithatë, në fund, destinacioni i 18-vjeçarit u bë Palermo. Skuadra siciliane ishte e vetmja që i garantoi afrimin në skuadrën e parë, ndërkohë që të tjerat mendonin që fillimisht lojtarin ta aktivizonin me ekipin e të rinjve. "Palermon e kam zgjedhur sepse më pëlqente më shumë dhe më dhanë mundësinë që të luaja menjëherë me skuadrën e parë. Ndërsa Interin, Udinezen, Fiorentinën dhe Mançester Sitin i kam refuzuar, pasi ata më ofruan të luaja fillimisht me ekipin e të rinjve", deklaroi Çani për të përditshmen kosovare "Express". Sulmuesi i lindur në Tiranë shpreson se shumë shpejt do të zërë vend në formacionin titullar të ekipit sicilian, edhe pse konkurrentë në këtë rol ka lojtarë të spikatur si Amauri, Mikoli dhe Kavani. "Objektivi im është që të luaj me skuadrën e parë, ku shpresoj se do të zë vend në formacionin e ekipit. Ndërkohë, shpresoj që sa më shpejt të luaj ndeshjen time të parë me fanellën e Palermos, por kryesorja është që të luaj mirë me këtë ekip", shtoi Çani. Lavdërimi nga mediat italiane nuk ka munguar dhe ato e kanë krahasuar talentin shqiptar me sulmuesin e Fiorentinës, Kristian Vieri, në periudhën kur ishte në fillimet e karrierës. Por Çani mendon se ngjan më shumë me yllin e Interit, Zlatan Ibrahimoviç. "Nuk e di, të tjerët thonë se nga mënyra e lojës i ngjaj Vierit. Personalisht mendoj se nuk i ngjaj atij. Unë mendoj se ngjasoj me sulmuesin e Interit, Ibrahimoviç", theksoi sulmuesi, i gjatë 188 centimetra. Më tej, ai flet për kombëtaren: "Kisha një ftesë nga ekipi Shpresa, për datën 6 shkurt, por për shkak të angazhimit në ekipin e ri nuk kam mundur që t‘i përgjigjem. Por, dëshira ime është që të luaj me përfaqësuesen shqiptare në ndeshjet tjera". Për shqiptarin, Palermo ka paguar 1,2 milionë euro, ndërsa kontrata e tij në "Renzo Barbera" mbaron në vitin 2013.