Demetris Kristofias, komunisti që do të ribashkojë Qipron
Presidenti i sapozgjedhur i Qipros, Demetris Kristofias, është vënë menjëherë nën presion për të mbajtur premtimin për të punuar për ribashkimin e ishullit të ndarë të Mesdheut. 62-vjeçari Kristofias ka rënë dakord ndërkohë që të takohet me liderin e Qipros turke. Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, i kërkuan atij që të mos humbiste kohë dhe të fillonte përpjekjen për t‘i dhënë fund ndarjes, që veç të tjerash pengon edhe ambicien e Turqisë për anëtarësim në BE. "Unë besoj se shumë shpejt do të zhvillohet një takim paraprak", tha Kristofias para gazetarëve të hënën, ndërsa lideri i turko-qipriotëve, Mehmet Ali Talat, kërkoi bisedime të shpejta. "E përgëzoj Kristofiasin dhe i kërkoj atij bashkëpunim në procesin e negociatave që duhet të fillojnë sa më shpejt që të jetë e mundur", tha ai në një konferencë për shtyp në kryeqytetin e ndarë të Qipros, Nikozia. Një lider i Partisë Komuniste që thotë se nuk do të përzihet me ekonominë e tregut të ishullit, Kristofias shfrytëzoi një valë pakënaqësie mbi politikat e linjës së ashpër të paraardhësit të tij kundrejt turko-qipriotëve për të fituar në zgjedhjet e së dielës. "Ju inkurajoj fuqimisht të rrëmbeni këtë shans pa u vonuar dhe të filloni negociatat, nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara, me komunitetin e turko-qipriotëve për një marrëveshje të pranueshme", tha Presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barrozo, në një letër drejtuar Kristofiasit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe gjithashtu lëshuan deklarata ku theksohej se viti 2008 ofronte një shans që nuk duhej humbur. Analistët nga të gjitha anët, janë të vetëdijshëm se ky mund të jetë shansi i fundit për Qipron, ndarja e së cilës gjithashtu është burim tensionesh mes aleatëve të NATO-s, Turqisë dhe Greqisë. "Keni dy presidentë, partitë e të cilëve kanë punuar shumë për të ribashkuar Qipron, që prej 34 vitesh. Nëse ata nuk e bëjnë këtë, atëherë kush tjetër do të mundet", thotë Mete Hatai, një kërkues për Institutin e Paqes PRIO në Nikozia. Shtypi qipriot ndërkohë e ka quajtur ditën e djeshme historike, kjo jo për faktin se Kristofias u bë i pari President komunist i ishullit apo i vetmi lider komunist i bllokut me 27 anëtarë, por sepse e sheh fitoren e tij si një shans për t‘i dhënë fund gjendjes së krijuar. "Pas pesë vitesh të çuara dëm, ai ka një detyrim moral të përpiqet të fitojë terrenin e humbur", shkruante e përditshmja "Cyprus Mail". Ishulli është i ndarë në vija etnike që nga viti 1974, kur Turqia ndërhyri ushtarakisht pas një grushti shteti të nxitur nga Greqia. Përpjekjet për bashkim dështuan në 2004-ën, kur greko-qipriotët refuzuan një plan të Kombeve të Bashkuara, ndërkohë që Qiproja, edhe pse e ndarë, u bë anëtare e Bashkimit Evropian. Negociatat për anëtarësimin e Turqisë në BE, janë pezulluar pjesërisht për shkak të Qipros. BE njeh qeverinë greko-qipriote në jug, ndërsa vetëm Turqia njeh veriun e ishullit. Eliminimi surprizë i Presidentit në largim, Tasos Papadopulos, që udhëhoqi kundërshtinë ndaj planit të Kombeve të Bashkuara, në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, më 17 shkurt, ka shtuar shpresat se greko- qipriotët mund të jenë të gatshëm për një marrëveshje.