Janez Drnovsek: burri që i dha Sllovenisë kapitalizmin e "butë"
Kur Janez Drnvosek doli thuajse nga errësira e plotë për t‘u shndërruar në Presidentin e parë dhe të fundit të ish-Jugosllavisë me zgjedhje të drejtpërdrejtë në vitin 1989, sigurisht që nuk mund ta imagjinonte atë që do të ndodhte vetëm dy vite më pas. Në 1991-in ai nisi negocimin e largimit të Ushtrisë Popullore Jugosllave nga atdheu i tij, pas luftës së shkurtër për pavarësi nga federata. Një vit më pas ai u bë Kryeministri i Sllovenisë. Përveç një shkëputjeje të shkurtër, ai qëndroi në atë post për një dhjetëvjeçar, gjatë të cilit udhëhoqi vendin në periudhën e rindërtimit dhe reformave ekonomike. Ai u përball me sukses me detyrat e vështira të riorientimit tregtar të Sllovenisë nga gërmadha e ish-Jugosllavisë drejt Perëndimit dhe zëvendësimi i biznesit të periudhës komuniste drejt modelit të ekonomisë së tregut. Ndryshe nga ish-republikat e tjera të ish-Jugosllavisë, të cilat në më të shumtën e rasteve ishin qeverisur nga liderë karizmatikë dhe autoritarë, njëherazi, Kryeministri i Sllovenisë, Drnovsek, arriti që me atë mënyrën e tij të qetë, por efikase të të drejtuarit, ta shkurtojë në maksimum periudhën kalimtare të vendit nga ajo e federatës në një demokraci parlamentare që funksionon normalisht. Drnovsek u përqendrua në ngritjen dhe ndërtimin e koalicioneve, në kërkimin e konsensuseve dhe jo në rigjallërimin e inateve të vjetra. Sllovenia e Drnovsek ishte unike dhe shumë e veçantë edhe në një drejtim tjetër. Ndërkohë që në vendet e tjera ish-komuniste të rajonit transformimet në të gjitha fushat u bënë përmes gjakderdhjeve, politikave të ashpra ekonomike të së ashtuquajturës "terapia e shokut", privatizimeve masive, Sllovenia, në të kundërt, e kreu gjithçka në mënyrë shumë graduale dhe të paqtë, përmes detyrave e planeve që realizoheshin ditë pas dite dhe jo të gjitha njëherazi e si pasojë dhembja ishte shumë më e vogël e kalimi më i butë se kudo tjetër. Në vend të aplikimit të modelit të Taçerizmit, modeli i preferuar nga Sllovenia ishte ai skandinav dhe i praktikuar njëherazi edhe në Austrinë fqinje. Në periudhën kur Drnovsek u largua nga pozicioni i Kryeministrit, vendi i tij la pas negociatat e kryera me Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Dy vite më vonë në pozicionin e kreut të shtetit ai iu gëzua arritjeve të punës së tij dhjetëvjeçare kur Sllovenia u shndërrua në vendin e parë dhe deri tani të vetëm të ish-Jugosllavisë që do anëtarësohej në të dy organizatat e mësipërme. Drnovsek lindi në vitin 1950 dhe në 1973-in u diplomua si ekonomist për t‘u punësuar më pas si menaxher në një kompani ndërtimesh dhe më pas si këshilltar ekonomik në ambasadën jugosllave në Kajro. Fillimisht nuk kishte asnjë lloj interesi për karrierë politike, por aftësia profesionale e çoi drejt dyerve të saj. Duke qenë se mbahej një nga ekspertët më të mirë të politikave monetare ai u përfshi në delegacionin e Parlamentit Federal. Megjithatë, të gjitha shenjat ishin që ekonomisti të kishte një jetë të qetë në provincë. Por askush nuk mund të parashikojë surprizat e jetës. Situata ndryshoi menjëherë në fillim të vitit 1989, kur emri i Drnovsekut u përfshi në një listë me 74 persona të tjerë të gjithë kandidatë të mundshëm për postin e përfaqësuesit slloven në Presidencën kolektive të Federatës Jugosllave. Ndërsa pjesa më e madhe nuk e pranuan sfidën, Drnovsek vendosi të vazhdojë i nxitur më tepër nga kurioziteti sesa nga shpresa për fitore. Normalisht, kandidati i suksesshëm duhej të përzgjidhej, sipas zakonit, nga liderët e rëndësishëm politikë që qëndronin pas dyerve të mbyllura. Por me fillimet e procesit të demokratizimit, që në Slloveni ishte bërë i parikthyeshëm dhe të mos harrojmë që Sllovenia ishte ndër republikat më liberale në federatë, vendimi që do të merrej do të ishte rezultat i një zgjedhjeje demokratike. Për habinë e të gjithëve, rezultati i kësaj zgjedhjeje të parë demokratike ishte zgjedhja e Drnovsekut, i cili mundi edhe të preferuarin zyrtar, Marco Bulc, në votën e prillit të vitit 1989. Por edhe pas fushatës zgjedhore, Drnovsek ishte aq pak i njohur saqë shoferi i taksisë që e çoi në shtëpi natën e fitores nuk e dinte se kush ndodhej në sediljen e pasme të makinës së tij. Suksesi i Drnovsek buroi nga popullariteti që zgjoi qartësia e mesazhit të tij në lidhje me ndërmarrjen e reformave të ekonomisë së tregut dhe vendosjen e demokracisë. Megjithatë, ai program nuk ishte shumë tërheqës për liderët komunistë të cilëve Drnovsek iu bashkua në Presidencën Jugosllave, organizmi që bënte bashkë përfaqësuesit e gjashtë republikave dhe dy krahinave autonome që formonin Federatën. Drnovsek nuk ishte shumë i përgatitur për detyrën e re dhe për sfidat me të cilat i duhej të përballej. "Dija shumë pak dhe këtë e mësova vetëm kur u ndodha përballë kolegëve të mi, madje mund të them pa frikë që dija aq sa mund të dijë një tokësor për planetin Mars", rrëfen i ndjeri në kujtimet e tij të mëvonshme. Pavarësisht kësaj, i sapoardhuri mori postin e Presidentit të Presidencës, pra atë të kreut të shtetit jugosllav, pasi sipas Kushtetutës, vendi qeverisej me rotacion dhe atë vit ishte radha e Sllovenisë për të drejtuar federatën. Gjatë pjesës më të madhe të vitit të parë Presidenca u mor me çështjen e politikës së ashpër që po ndërmerrte Serbia ndaj Kosovës shqiptare. Një nga qëllimet kryesore të Presidentit ishte dhënia fund e represionit serb në Kosovë, situatë që pasoi heqjen e autonomisë së provincës pas vendimit të ish-presidentit të atëhershëm të Serbisë, Sllobodan Millosheviç. Ai vendosi që krahina shqiptare të kalonte në varësi të plotë të Beogradit pa asnjë liri e të drejtë tjetër. Duke qenë se ishte në krye të federatës, Drnovsekut iu desh të merrte pjesë në situatën më vështirë të karrierës së tij, në marrjen pjesë në festimet e takimit të madh të organizuar nga serbët në vitin 1989 për të përkujtuar 600-vjetorin e Betejës së Kosovës. Pikërisht gjatë këtij mitingu, Millosheviçi si një triumfator i vërtetë u shndërrua në një hero nacionalist për serbët duke çuditur gjithë republikat e tjera. Por pjesëmarrja e Drnovsekut në këtë miting i shërbeu për të fituar simpatinë e serbëve, si dhe përmirësimin e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës. Brenda disa javësh shqiptarët që ishin internuar pa gjykim u liruan. Mënyra e tij e të vepruarit hap pas hapi bëri që dalëngadalë në Kosovë të hiqej gjendja e jashtëzakonshme dhe më pas vëmendja u zhvendos nga krahina shqiptare te Sllovenia dhe Kroacia, të cilat po përgatiteshin që të zgjedhjet e para shumetnike në prill të vitit 1990, të cilat ishin të parat që nga vendosja e komunizmit në vend. Kur Ushtria Popullore Jugosllave kërcënoi të ndërhynte Drnovsek u kthye në Slloveni për të votuar dhe vizituar pikat e votimit dhe kësisoj shfaqi mbështetjen e tij si kryetar shteti për demokratizimin e proceseve në vijim. Fitorja e partive jokomuniste në Slloveni dhe në Kroaci përshpejtoi largimin e këtyre dy vendeve nga pjesa tjetër e Jugosllavisë dhe menjëherë pas votës ato nisën thirrjet për transformime të federatës në një konfederatë që do t‘u lejonte republikave një frymëmarrje më të madhe. Në të kundërt të kësaj tendence, Millosheviçi tentonte ricentralizimin e vendit, por nën lidershipin e tij. Pas tentativave të përsëritura për të arritur një kompromis, Sllovenia dhe Kroacia shpallën pavarësinë e tyre në qershor të vitit 1991. Thuajse menjëherë më pas forcat e sigurimit slloven morën në kontroll kufijtë edhe pse një veprim i tillë mbartte në vetvete shumë rreziqe. Duke qenë i qartë për të gjithë faktorët kyç në Jugosllavi dhe në Serbi, Drnovsek u vendos në krye të negociatave për t‘i dhënë fund konfliktit në Slloveni. Diskutimet e tij të shpeshta telefonike me Ante Markoviçin, Kryeministrin federal dhe gjeneralin, Veljko Kadijeviç, ministri i Mbrojtjes, ishin të vetmet "takime" të nivelit të lartë mes të dy palëve gjatë kohës që zgjatën përplasjet. Me ardhjen e paqes u rivendosën kanalet normale të bisedimeve me ndërmjetësimin e fuqive të mëdha, fillimisht në ishullin kroat të Brionit. Në këto bisedime, Drnovsek pati rolin interesant të marrjes pjesë në bisedimet mes Sllovenisë dhe Federatës Jugosllave, por në rolin e Sllovenisë, ndërkohë që në marrëdhënie me evropianët ai vazhdonte të përfaqësonte Jugosllavinë. Marrëveshja e Brionit vendosi paqen në Slloveni pas një lufte të vogël që nuk zgjati më shumë se 10 ditë, por nga ana tjetër vendosi për një moratorium tremujor për pavarësinë dhe i la forcat ushtarake të Federatës ende në republikën e re. Megjithatë, Denovsek e dinte se nëse gjërat do të shkonin mirë për vendin e tij, një luftë e madhe dhe e mbrapshtë po përgatitej për Kroacinë dhe Bosnjën, të cilat nuk do të ishin me kaq fat. Kjo pastaj është një tjetër histori e dhimbshme, por që nuk i takon Sllovenisë. Pavarësia e saj, e cila u njoh ndërkombëtarisht në janar të vitit 1992, e gjeti Drnovsekun pa një punë, sepse në Presidencën Jugosllave nuk kishte më një vend për të. Brenda disa muajsh ai u rikthye në punë, si një Kryeministër i dytë i Sllovenisë i zgjedhur nga Partia Liberaldemokrate, partia që doli nga lëvizja rinore e periudhës komuniste, Drnovsek brenda një kohe shumë të shkurtër do të bëhej një figurë kyçe në vend, madje përgjatë gjithë dhjetëvjeçarit në vijim. Aftësia e tij për të zgjidhur konfliktet më të mprehta ishte unike. Gjatë periudhës që erdhi ai nuk ishte në pushtet vetëm përgjatë një 5-mujori, kur një nga partnerët e koalicionit të tij doli nga marrëveshja në vitin 2000. Rikthimin në detyrë e bëri para përfundimit të atij viti, pasi arriti që të fitonte një tjetër zgjedhje. Fillimisht Drnovsek u përball me problemet e mëdha të të gjitha natyrave të shtetit të ri. Sllovenia duhet të riorientonte aktivitetet e saj ekonomike, pas humbjes në masë të tregjeve që kishte deri në periudhën kur ishte pjesë e Federatës. Kjo kërkonte një transformim të ekonomisë, një nxitje të prodhimtarisë dhe një rritje të efektshmërisë përmes privatizimeve, rindërtimit të sistemit bankar dhe forcimit të monedhës së re, tolarit. Duke qenë se ishte vetë ekonomist, Drnovsek mori në dorë personalisht çështjet më kyçe të vendit, sidomos ato ekonomike. Gjatë kësaj periudhe i shërbeu edhe përvoja që kishte pasur si negociator në emër të Presidencës Jugosllave. Qeveritë e qendrës së majtë që ai drejtoi ndoqën një program më të ngadaltë privatizimi dhe liberalizmi në krahasim me vendet e tjera të rajonit dhe të Evropës Lindore. Dhe pavarësisht kësaj politike shumë të kujdesshme, ritmet e rritjes ekonomike të Sllovenisë ishin shumë të larta dhe arritën kulmin e tyre gjatë 10-vjeçarit që Drnovsek ishte në krye të vendit. Ky i fundit u dorëhoq si Kryeministër në vitin 2002, dy vjet pas fitores së tretë dhe të fundit në zgjedhje. Shkaku ishte shëndeti. Fillimisht sëmundjen e diagnostikoi në vitin 1999, por bëhej fjalë për një sëmundje që nuk po zhvillohej me hap të shpejtë. Megjithatë, nga Kryeministër ai u bë President i vendit, një punë që kërkonte më pak impenjim. Gjatë viteve të tij si President, në vitin 2004, Sllovenia arriti plotësimin e ambicieve të saj të politikës së jashtme, anëtarësimin në BE dhe në NATO, për të cilat vetë Drnovsek negocioi që kur ishte Kryeministër. E ndërkaq, sëmundja përparonte dhe kjo u duk qartë edhe në pamjen e jashtme të politikanit. Në vitet e fundit, ai u zhvendos në një mal, në afërsi të fshatit Zaplana. Ditën e kalonte në kopsht duke u kujdesur për zarzavatet dhe në atë kohë thoshte se shëndeti pati shumë përmirësim nga ajri i pastër. Hoqi dorë nga të gjitha mjekimet, duke menduar që dermani do t‘i vinte nga bimët mjekësore dhe jo nga ilaçet e mjekësisë moderne. Mendimet e tij për jetën dhe ndërgjegjen, që janë edhe titulli i një libri që doli në vitin 2006 janë një guidë për të jetuarit në mënyrë të harmonishme. Duhet thënë se ky është një nga librat më të shitur ndonjëherë në Slloveni. Si pjesë e orientimit të tij të ri ai e braktisi socialdemokracinë dhe themeloi Lëvizjen për Drejtësi dhe Zhvillim për të promovuar projektet e tij. Me urdhrin e tij, shoqatat sllovene ngritën fonde bamirësie për të ndihmuar viktimat e Darfurit në rajonin afrikan të Sudanit. Drnovsek është një figurë e dashur në vendin e tij dhe po të mos kishte qenë për sëmundjen ai mund të kishte qëndruar për një kohë të gjatë në pushtet. Njerëzit vazhdojnë ta admirojnë e të marrin shembull prej tij dhe sipas vetë politikanit, në një nga intervistat e tij të fundit për shtyp emri i mirë është arritja më e rëndësishme e jetës së tij.