E Diel, 1 Nëntor 2026

Kombet e Bashkuara racionalizojnë ndihmat

Drejtoresha e Programit Botëror të Ushqimit, agjenci kjo e Kombeve të Bashkuara, ka deklaruar se po merret në konsideratë racionalizimi i ndihmave në ushqime për shkak të çmimeve gjithnjë në rritje dhe një mungese fondesh. Xhozet Shiran tha për BBC-në se Programi ka nevojë për një rritje kontributesh nga ana e donatorëve, çka dhe do të siguronte plotësimin e nevojave të atyre që varen prej kësaj agjencie. Ajo tha se Programi gjithashtu përballej me kërkesa në rritje nga vende si Afganistani, ku njerëzit momentalisht nuk janë në gjendje të përballojnë koston e jetesës. Çmimet e ushqimeve janë rritur me 40 për qind vitin e shkuar për shkak të rritjes së kërkesës dhe një serie faktorësh të tjerë. Më herët, këtë muaj, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) tha se rritja e çmimit të drithërave, si gruri dhe misri, është bërë një shqetësim global. FAO përllogarit se në vendet e varfra fatura e importit të drithërave do të rritet me më shumë se një të tretën këtë vit. Afrika, në tërësi, pritet të regjistrojë një rritje prej 49 për qindësh. Organizata ka kërkuar një ndërhyrje urgjente në mënyrë që të ndihmohen fermerët në vendet e varfra me fara dhe stimuj të tjerë, në mënyrë që të rritet prodhimi i drithërave. Në një intervistë dhënë BBC-Së, Shiran tha se Programi Botëror i Ushqimit, po zhvillon bisedime me ekspertët për të vendosur nëse ndihmat në ushqime do të ndalohen apo racionalizohen për sa kohë që donacionet janë të pakta. Ish-nënsekretarja amerikane e Shtetit tha se ajo shpresonte që ky racionalizim apo ndalim të shmanget, por paralajmëron se buxheti që i nevojitet agjencisë po rritet me disa miliona dollarë në javë, për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve. "Nëse ushqimi është dy herë më i shtrenjtë se më parë, ne mund të sigurojnë gjysmën e ndihmave që siguronim më parë, ndërkohë që kontributet dhe donacionet mbeten të njëjta", tha ajo. "Do të duhet një rritje drastike e kontributeve për të garantuar që Organizata të plotësojë nevojat e të gjitha atyre vendeve që varen totalisht nga ne", vijoi ajo. Shiran tha se kishte nevojë urgjente për fonde shtesë në mënyrë që ky problem të shmanget pasi në shumë vende, Programi Botëror i Ushqimit është i vetmi burim ushqimi, për shumë njerëz. "Ne po shohim madje nevoja më të mëdha në vende si Afganistani, ku njerëzit tashmë nuk janë të sigurt nëse mund të sigurojnë ushqimin e ditës për shkak të çmimeve të larta", tha Shiran. Sipas saj, më shumë janë goditur njerëzit në vendet në zhvillim që më parë jetonin me 50 centë në ditë, të cilat në masën 80-90 për qind shpenzoheshin për ushqime. "Në disa prej këtyre vendeve në zhvillim, çmimet janë rritur me mbi 80 për qind për ushqimin e përditshëm", shtoi ajo. Madje edhe klasa e mesme, në vende si Indonezia, Jemeni dhe Meksika, janë dëmtuar rëndë nga kjo valë e rritjes së çmimeve dhe po detyrohen gjithnjë e më shumë të sakrifikojnë edukimin apo kujdesin shëndetësor në favor të bukës së përditshme. Shiran tha se Egjipti ka vënë në jetë një sistem racionalizimi të ushqimit, pas plot dy dekadash dhe Pakistani ka kthyer në qarkullim tallonat pas shumë vitesh. Kina dhe Rusia ndërkohë po imponojnë masa për mbajtjen nën kontroll të çmimeve, ndërsa Argjentina dhe Vietnami po rrisin taksat e shitjeve të huaja apo po ndalojnë eksportet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›