E Diel, 1 Nëntor 2026

Brenda një guri

Ai i ka mbledhur në një emër, "Gur", atë mori reportazhesh që lexuesit e gazetës "Shqip", për gati një vit të tërë, i kanë lexuar të dielave. Vendosi titullin "Gur", pasi beson në shprehjen se "njerëzit ikin shpejt, gurët mbeten". Dhe gurët Fatos Baxhakut i kanë krijuar gjithnjë një ndjesi dashurie, teksa merrte ndonjë prej tyre në çdo vend që udhëtonte. "Deri vonë e kam pasur këtë zakon. Në çdo vend që shkoja merrja nga një gur si kujtim. Më dukej gjëja më e qëndrueshme dhe në shumë raste, edhe më karakteristike e fshatrave dhe qyteteve. Njerëzit ikin shpejt, gurët mbeten. Këtë zakon jo edhe fort praktik, nisa ta lë kur apartamenti im nisi të mbushej ca si frikshëm me kanistra cip me gurë, por edhe tani fus në xhep ndonjë guralec, sidomos nga ata të zallit të lumenjve", shkruan ai në parathënien e librit.

Një libër i lindur nga udhëtimet, nuk ka se si të mos zgjojë para nesh përfytyrimet dhe të na takojë me të vërtetën e asaj jete që gjendet aq pranë. Ndërsa ke nisur të udhëtosh bashkë me këtë libër do të ndalesh kudo. Që te "Lana e Panjohur", te "Qyteza me sytë e shkulur", do të ecësh mbi "Gjurmët e një prifti të vjetër", do të vështrosh "Hijen e Rozafës", do të ecësh anës Bunës, do të shkosh në fshatin e masakruar nga Ali Pasha deri te Prespa e Vogël në kërthizën e Ballkanit... Gjithë ajo jetë që pulson në Shqipërinë tonë, vjen aq e vërtetë nëpërmjet historive të personazheve që gazetari Baxhaku ka takuar.

Ai u jep atyre njerëzve që i shohim edhe në fotot që ai i ka sjellë bashkë me reportazhet, fizionominë e tyre të vërtetë, ua bën sytë e trishtuar nëpërmjet fjalëve kur i kanë të tilla, dhe ua vizaton buzëqeshjen e lehtë po aq bukur me fjalë.

Por një gazetar në stadin e Baxhakut nuk mund të rrijë pa mbajtur qëndrim. Jetët e sjella në këtë libër nga ai janë një "Gur" që dhemb për ne. Një "Gur" që na tregon se sa larg është politika jonë ndaj jetës njerëzore, dhe sa e sa probleme të së shkuarës trashëgon ende kjo e fundit.

Vendin tonë jemi mësuar ta lexojmë nga reportazhet e botuara nga të huajt që e kanë vizituar atë. Gati gjysmë shekulli më parë Indro Montanelli, teksa pinte kafe në një nga baret e qytetit të Shkodrës, imagjinonte se si do të ishte e ardhmja e këtij qyteti me një arkitekturë orientale?

Përgjigje kësaj pyetjeje që kohë më parë orvatej te Montanelli, e gjen te libri i kolegut Baxhaku. Këto reportazhe që ai i shkroi me aq dashuri për lexuesin e gazetës "Shqip" janë dhe analiza më e mirë që mund t‘i jetë bërë ndonjëherë këto vite Shqipërisë postkomuniste. Përtej atyre që flet politika, Shqipërinë e vërtetë mund ta gjeni si një grua të trishtuar te "Gur", si një grua që ka dëshirë të jetë e lumtur dhe që pavarësisht ditëve të vështira që ka pasur në jetë, vazhdon të ëndërrojë...

Dje, në ambientet e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, u bë dhe promovimi i këtij libri, botuar nga shtëpia botuese "Papirus". Ky promovim u konceptua si një takim mes miqsh, ku "Gur" ishte arsyeja për të folur, ndoshta më shumë për atë çfarë rrethon në të vërtetë jetën tonë. Kjo, sepse libri flet me gjuhën e tij, me atë gjuhë që ne e lexojmë sot dhe atë gjuhë që do të lexohet vite e shekuj më pas.

Por miq dhe kolegë të pranishëm nuk mundën të mos ndanin disa përshtypje të tyre për këtë botim. Për atë çfarë përcjellin këto reportazhe foli poeti dhe drejtori i QNK-së, Mujo Buçpapaj, gazetari dhe botuesi Benet Koleka, foli si një nga njerëzit që ka qenë pranë Baxhakut në një pjesë të këtyre udhëtimeve. Shefi i administratës së gazetës "Shqip" dhe një nga miqtë e vjetër të Baxhakut, Bajram Peçi, rrëfeu mënyrën sesi i sheh këto reportazhe. Ndjesitë artistike për këtë botim i përcolli dhe piktori Vladimir Myrtezai. Po ashtu edhe korrespodenti i gazetës "Shqip", Engjëll Sejrani dha një tjetër mënyrë vështrimi të këtij botimi.

Libri përbëhet nga dy pjesë. Në pjesën e parë janë zgjedhur një pjesë e reportazheve të botuara në gazetën "Shqip". Ato janë shkruar në një periudhë e cila nis në majin e vitit 2006 dhe përfundon në tetorin e 2007-ës. Në pjesën e dytë, të titulluar "Haberet e Cenit", janë mbledhur shkrime të botuara në gazetën "Panorama" gjatë viteve 2005-2006. "Këto janë disa opinione që unë i kam shkruar në ‘bashkëpunim‘ me një ‘tirons‘ nga Rruga e Kavajës. Nuk ma bën zemra dhe nuk ma do mëndja ta quaj Cenin ‘imagjinar‘. Unë jam i bindur se ekziston vërtet diku në shtëpitë e vjetra që tani kanë nisur të rrethohen nga pallatet shumëkatëshe. Rri afër sobës së tij të vjetër, thith fort cigaren dhe shikon lajmet duke tundur kokën i pakënaqur", shkruan Baxhaku në parathënien e librit.

Dhe Ceni i Baxhakut është një personazh që na tregon aq shumë me rrëfimet e tij...Në ato rrëfime ku ne gjejmë jetën tonë...

"Gur", një libër që ka vetëm pak javë që ka dalë në treg, është një përshkrim deri në detaje i Shqipërisë sonë, i shkruar me dashuri nga një gazetar që di të shohë përtej gjërave. Një rrëfim që i ka munguar serisë së botimeve që vitet e fundit kanë mbushur tregun. Një rrëfim tek i cili kohë më pas do të kthehemi sërish, sa herë do të duam të shohim të shkuarën, apo për të parë se sa kanë ndryshuar gjërat në të tashmen...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›