Presidencialet amerikane, "luftë" edhe me imazhe
Lufta politike bëhet edhe me imazhe. Pra nuk duhet të habitet askush pse faqja amerikane e internetit "Drudgereport", gjithnjë e afërt me republikanët, ka qenë e para që ka shpërndarë këtë foto, të shkrepur në vitin 2006 në Afrikë dhe ku kandidati për nominimin e demokratëve, Barak Obama, shfaqet i veshur si një somalez i moshuar, apo ndryshe, me veshjen tradicionale të burrave që kanë me të vërtetë rëndësi në zonat indigjene të vendit. Një foto, goxha interesante, por që mund të rezultojë komprometuese në prag të zgjedhjeve të 4 marsit, kur do të jetë radha e Teksasit dhe Ohajos për të bërë përzgjedhjen e tyre. Për më tepër, zgjedhjet në këto dy shtete janë vendimtare për dy pretendentët demokratë. Sipas faqes së internetit, fotoja është hedhur në qarkullim nga stafi i Hillari Klintonit.