Demo: “Paketa e Maleve” nuk cenon të drejtën e pronësisë, instrument për zhvillim ekonomik lokal

TIRANË, 4 qershor /ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo deklaroi sot në Kuvend se “Paketa e Maleve” është një nga nismat më të rëndësishme që po merr formë në nivel vendor për zhvillimin ekonomik lokal, duke u mbështetur në kuadrin ligjor të miratuar në vitin 2020.
Gjatë seancës plenare, në përgjigje të interpelancës së kërkuar nga deputeti Agron Shehaj për “Paketën e Maleve”, Demo theksoi se vetë ligji jep përgjigje të qarta për çdo pikëpyetje që mund të ngrihet mbi zbatimin e tij.
Demo deklaroi se “Paketa e Maleve” nuk cenon të drejtën e pronës private dhe është një instrument për zhvillimin ekonomik lokal në zonat rurale dhe malore.
“Unë besoj që duke iu referuar ligjit dhe jo thashethemeve apo aludimeve. Besoj që është qartësisht e shkruar që “Paketa e Maleve” nuk zbatohet në prona private”, tha Demo.
Ai sqaroi se neni 6 i ligjit përcakton kriteret e aplikimit për dy kategori përfituesish: poseduesit që provojnë përdorimin e pronës për më shumë se 10 vite dhe individët me lidhje familjare me pronën para vitit 1991 si ish-pronarë.
“Individi posedues i pronës duhet të vërtetojë që e posedon atë pronë për më shumë se dhjetë vjet”, u shpreh ministri, duke shtuar se kategoria e dytë lidhet me “individë të cilët kanë një marrëdhënie me pronën si ish-pronarë para vitit ’91.
Sipas tij, procesi fillon në nivel bashkie dhe i nënshtrohet verifikimeve të rrepta ligjore.
“Pika A, të jetë pasuri shtetërore; Pika B, të mos jetë pronë publike e patjetërsueshme… Pika C, të mos i shërbejë operacionalitetit të Forcave të Armatosura Pika Ç, të mos rëndojë mbi të drejtat reale të palëve të treta, Pika D, të mos jetë objekt i procedurave të fitimit të pronësisë sipas ligjit nr. 20/2020 dhe pika Dh, të mos jetë marrë vendim për kthim ose kompensim fizik të ish-pronarëve”, deklaroi ai.
Demo theksoi se pas aplikimit, bashkia kryen verifikimet dhe shpallje publike 45-ditore.
“Bashkia është e detyruar të bëjë shpallje publike dyzet e pesë ditë dhe çdo individ që ka pretendime mbi atë pronë aplikimi pezullohet. Bashkitë janë shumë të qarta për sa i përket detyrimeve ligjore”, tha Demo.
Në fund, ministri e cilësoi “Paketën e Maleve” si një nismë zhvillimi për zonat rurale.
“Është një instrument i jashtëzakonshëm për të krijuar mundësi të reja të zhvillimit ekonomik lokal dhe rural”, deklaroi ai, duke shtuar se pritet rritje e investimeve, punësimit dhe turizmit në zonat malore.
“Vetë ligji është shterues në vetvete për çdo pyetje që mund të ngrihet. Zbatimi i “Paketës së Maleve” nuk cenon të drejtën e pronës private dhe në disa nene të ligjit theksohet qartë se kjo paketë nuk zbatohet mbi prona private”, u shpreh ministri.
/e.xh/j.p/r.e/