Gjoni: Gjendja e infrastrukturës në veri dhe Lezhë, tregues i një politike të gabuar zhvillimi

TIRANË, 4 qershor /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike për qarkun e Lezhës, Gjin Gjoni zhvilloi një interpelancë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, në lidhje me gjendjen e rrugëve dhe trafikut në qarkun e Lezhës dhe në veri të vendit.
Gjoni deklaroi se veriu po përballet me “një diskriminim të vazhdueshëm në investimet publike”, duke shtuar se projektet infrastrukturore në këtë zonë kanë mbetur të pazbatuara ose të vonuara prej vitesh.
Sipas tij, qarku i Lezhës, i cilësuar si një nyje e rëndësishme lidhëse me veriun dhe me potencial të madh ekonomik e turistik, është përballur me neglizhencë në zhvillimin e infrastrukturës rrugore. Ai tha se rrugët ndodhen në gjendje të amortizuar, ndërsa projektet e mëdha infrastrukturore, sipas tij, “kanë mbetur në vendnumëro”.
Gjoni tha gjithashtu se qytetarët e Lezhës paguajnë dy tarifa koncesionare për rrugët, duke përmendur rrugën e Kombit dhe aksin Thumanë-Kashar. Sipas tij kjo situatë krijon një barrë të dyfishtë për banorët e zones.
“Si deputet i qarkut të Lezhës kam thirrur këtë interpelancë me ministrin e Infrastrukturës në lidhje me gjendjen e rrugëve dhe trafikut në këtë qark, por edhe në zonat e veriut në tërësi. Sot është e qartë se veriu po përballet me një diskriminim të vazhdueshëm të investimeve publike, duke i lënë në harresë përballë prioriteteve selektive të kësaj qeverie. Qarku Lezhë, një nyjë strategjike lidhëse me veriun dhe një zonë me potencial të madh ekonomik dhe turistik, është kthyer në një simbol të neglizhencës totale”, u shpreh deputeti.
“Rrugët në këtë zonë janë në gjendje të amortizuar. Projektet madhore mbeten në vend numëro dhe premtimet përsëriten pa asnjë rezultat konkret. Ndërkohë qytetarët paguajnë taksa si të gjithë, por mbi to rëndon edhe një barrë shtesë tarifat koncesionare për përdorimin e rrugëve që në rastin konkret është dyfish për banorët e kësaj zone për shkak të pagesave si në rrugën e Kombit ashtu edhe të ardhjes dhe kthimit nga Tirana në rrugën e Thumanës. Si mos të mjaftojnë kjo edhe projektet në rrugën Milot-Balldren, por edhe nëse kjo bashkohet me daljen dhe lidhjen me Malin e Zi, do të shtojë edhe dy tarifa të tjera shtesë për shkak të dhënies me koncesion”, tha ai.
Sipas Gjonit, projektet Milot–Balldren dhe Milot–Rrëshen, pavarësisht shpalljes së tyre si prioritare, nuk kanë shënuar progres konkret në terren. Ai kërkoi sqarime mbi ecurinë e projektit Milot–Balldre dhe arsyet e vonesave të tij.
“Modeli i financimit është e papranueshëm, për qytetarët e veriut të detyrohen të paguajnë për të kaluar në rrugë kur nuk plotësojnë standardet bashkëkohore vetëm për të shkuar në shtëpitë e tyre apo për t’u ardhur në kryeqytet. Kjo situatë krijon një padrejtësi të dyfishtë dhe mungesë investimi nga njëra anë dhe kosto shtesë nga ana tjetër. Mungesa e një autostrade të mirëfilltë me standarde evropiane në një nga korridoret më të mëdha dhe më të rëndësishme të vendit ka sjellë pasoja të rënda”, theksoi deputeti demokrat.
“Trafiku është rënduar dhe shpesh i rrezikshëm. Kostot për qytetarët dhe bizneset janë rritur. Vonesat janë të gjata dhe të pajustifikueshme, ndërsa turistët përballen me orë të tëra pritje duke dëmtuar seriozisht imazhin e vendit dhe zhvillimin ekonomik të zonës. Kjo situatë shoqërohet gjithashtu me rritjen e ndotjes dhe ndikimit negativ në mjedis. Këto pasoja nuk janë thjesht problematika infrastrukturore, por përkthehen në dëme të drejtpërdrejta ekonomike dhe sociale duke penguar zhvillimin e veriut dhe duke kthyer pabarazinë rajonale. Në këtë kontekst projekti Milot-Balldren dhe Milot-Rrëshen të shpallur prej vitesh si prioritare mbeten ende pa zgjidhje konkrete të shoqëruar me mungesë transparence dhe shtyrje të pajustifikuar. Edhe sot që flasim nuk ka një zhvillim në terren megjithëse kanë kaluar 13 vjet që kemi propagandë të shfrenuar nga ana e kësaj qeverie dhe asnjë realitet. Për aksin Milot-Balldren kërkohet të sqarohet se ku ndodhet realisht projekti dhe pse vazhdon të mbetet në letër, pse qytetarët u premtohet vazhdimisht përfundimi i afërt pa asnjë zhvillim konkret në terren”, tha ai.
Gjoni tha se gjendja aktuale e infrastrukturës në veri dhe në qarkun e Lezhës është tregues i një politike të gabuar zhvillimi, ku zona të tëra janë lënë në harresë, ndërkohë që qytetarët e tyre përballen çdo ditë me kosto, vonesa dhe vështirësi.
/m.q/j.p/