E Hënë, 2 Nëntor 2026

Karakaçi: Hyrja e Shkodrës brenda afatit, projekte të tjera infrastrukturore në veri vijojnë sipas planit

TIRANË, 4 qershor /ATSH/ Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi deklaroi  në Kuvend se projekti i hyrjes së qytetit të Shkodrës po zbatohet brenda afateve kontraktuale dhe është një nga nyjet kryesore infrastrukturore për veriun e vendit.

Duke iu përgjigjur interpelancës së kërkuar nga deputeti i PD-së Gjin Gjoni, ministri tha se kontrata është lidhur në dhjetor 2024 dhe punimet po ecin sipas planit.

“Kontrata e këtij projekti për hyrjen e qytetit është lidhur në dhjetor 2024 dhe ka pasur afat punimesh 18 muaj, pra deri më 23 qershor 2026. Jemi tërësisht në përputhje me kushtet e kontratës”, u shpreh Karakaçi, teksa bëri të ditur se segmenti rrugor është tashmë i aksesueshëm në të dyja korsitë, ndërsa po vijojnë punimet për përfundimin e plotë të tij.

Sipas tij, projekti ka pasur vetëm një ndërhyrje teknike, pas kërkesës së banorëve të zonës.

“Nuk ka pasur ndryshime, vetëm një vendim i Këshillit Teknik për shtimin e një rrethrrotullimi, me kërkesë të banorëve të zonës”, deklaroi Karakaçi, duke bërë të ditur se ky rrethrrotullim ndërlidh banorët dhe bizneset e zonës.

Duke folur për projektet infrastrukturore në veri, Karakaçi përmendi Urën e Bahçallëkut dhe rrugën e Dukagjinit.

“Me përfundimin e Urës së Baçahllëkut do të kemi lehtësi në qarkullim. Punimet vijojnë dhe ky investim përfundon në nëntor 2026. Rruga e Dukagjinit, është një projekt që po zbatohet sipas standardeve dhe afateve të përcaktuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit”, tha ai.

Ai shtoi gjithashtu se Ura e Matit nuk është e përshtatshme për qarkullimin e mjeteve të rënda dhe kjo urë është e përfshirë në një projekt rehabilitimi të plotë nga Banka Botërore.

Ura e Lezhës, është në vëmendje dhe grupet e terrenit janë në monitorim të vazhdueshëm.

Sa i përket aksit Milot-Balldren, ministri e cilësoi atë pjesë të Korridorit Adriatiko-Jonian, duke theksuar rëndësinë e tij strategjike për vendin.

“Fituesi duhet të kishte dalë brenda datës 20 maj. Është e vërtetë që unë kam deklaruar në 28 prill për hapjen e aksit Tiranë–Durrës, se brenda dy javësh do të dali fituesi koncesionar për ndërtimin e aksit Milot-Balldren dhe kërkoj ndjesë për vonesën në shpalljen e fituesit të projektit, por dua t’ju siguroj se ky proces tashmë është drejt përfundimit dhe shumë shpejt do të shpallet”, deklaroi Karakaçi.

Ai tha se aksi Milot-Balldren përfshin ndërtimin e 17 km rrugë të kategorisë A dhe parashikon ndërtimin e rrugës alternative të kategorisë C, pa pagesë. “Po përfundon procedura e koncesionimit dhe është çështje ditësh dalja e tij”, tha ministri, teksa shtoi se qeveria e ka në vëmendje maksimale zhvillimin e infrastrukturës në të gjithë qarkun e veriut të vendit.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›