E Diel, 1 Nëntor 2026

MBZHR miraton ligjin për shëndetin e kafshëve, përafrim i legjislacionit me standardet e BE-së

TIRANË, 4 qershor /ATSH/ Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural miratoi ligjin për Shëndetin e Kafshëve, një akt i rëndësishëm në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe zbatimit të Planit të Rritjes (Growth Plan), që synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me Rregulloren (BE) 2016/429.

Ligji i ri synon forcimin e sistemit të parandalimit dhe kontrollit të sëmundjeve te kafshët, garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik, si dhe përmirësimin e gjurmueshmërisë dhe lëvizjes së kafshëve.

Sipas MBZHR -së, përmes këtij harmonizimi Shqipëria afrohet më tej me tregun dhe standardet e Bashkimit Evropian, duke rritur besueshmërinë dhe konkurrueshmërinë e sektorit blegtoral.

Ligji parashikon masa për forcimin e kontrollit dhe monitorimit të sëmundjeve të kafshëve, duke krijuar një sistem më efikas raportimi dhe reagimi ndaj rasteve të shpërthimeve, si dhe duke reduktuar rrezikun e sëmundjeve që transmetohen nga kafshët te njerëzit.

Një tjetër element i rëndësishëm është rritja e sigurisë ushqimore përmes kontrollit më të mirë të zinxhirit të prodhimit, si dhe vendosja e standardeve më të larta për mirëqenien dhe trajtimin e kafshëve.

Gjithashtu, thekson MBZHR-ja, ligji synon gjithashtu të përmirësojë sistemin e identifikimit dhe gjurmueshmërisë së kafshëve, duke garantuar më shumë transparencë në lëvizjen e tyre dhe duke lehtësuar kontrollin veterinar.

Ministria e Bujqësisë vlerëson se zbatimi i këtij ligji do të krijojë kushte më të favorshme për tregtinë dhe eksportet e produkteve blegtorale, duke rritur besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe duke afruar më tej sektorin shqiptar me kërkesat dhe standardet e Bashkimit Evropian.

Sias MBZHR-së, miratimi i Ligjit për Shëndetin e Kafshëve konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit veterinar në vend dhe fuqizimit të sektorit të blegtorisë, në funksion të sigurisë ushqimore, mbrojtjes së shëndetit publik dhe zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë rurale.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›