Deputetja Tabaku vlerëson Drejtoreshën e Përgjithshme të RTSH: Po vendos një standard të ri në median shqiptare

Në një konferencë kombëtare të dedikuar rolit të mediave në promovimin e barazisë gjinore, gazetare, eksperte dhe përfaqësuese të institucioneve u mblodhën për të diskutuar sfidat dhe hapësirat që ekzistojnë sot për forcimin e zërit të grave në media.
Gjatë fjalës së saj, deputetja Jorida Tabaku vlerësoi kontributin e profesionistëve të medias, duke theksuar rëndësinë e drejtuesve që promovojnë standarde të barabarta dhe hapin dyert për zërat femërorë. Ajo falënderoi veçanërisht Drejtoreshën e përgjithshme të RTSH-së, Eni Vasili, për rolin dhe angazhimin e saj në vendosjen e standardeve të reja në median publike.
“Gratë mund të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në ndryshimin e situatës së mediave në Shqipëri.
Mund të luajnë rolin domethënës në këtë betejë, të sjelljes së një ndryshimi që media sot e kërkon shumë.
Kemi këtu znj.Vasili e cila ka marrë në këtë moment një barrë e cila ndoshta nuk i takonte, për të vendosur një standard të ri në media. Shpresoj shumë që ajo do ja dalë. Do ketë mbështetjen time dhe të kolegëve të mi për të treguar se gjërat mund të bëhen më mirë dhe më ndryshe”, u shpreh Tabaku.
Sipas saj, gratë kanë potencialin të luajnë një rol të rëndësishëm në reformimin e realitetit mediatik në Shqipëri.
Në fund, Tabaku nënvizoi se pavarësia e medias dhe transmetimi i informacionit të pacensuruar janë themelore për krijimin e një terreni të shëndetshëm publik. “Por çdo gjë nis dhe nga pavarësia, nga mënyra si do transmetohet lajmi dhe nga fakti që sot qytetarët kanë nevojë për informacion të pacensuruar dhe unë uroj që ju këtë ta ofroni me apo pa ndryshime ligjore”, përfundoi ajo.
/rtsh.al/