E Diel, 1 Nëntor 2026

Gonzato: Mediat të jenë katalizator për barazinë gjinore, të forcohet përfaqësimi i grave

Në konferencën me gazetarë dhe ekspertë të fushës, me temë “Mediat si katalizator për barazinë gjinore”, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi se mediat shqiptare duhet të pasqyrojnë më mirë diversitetin shoqëror dhe të rrisin përfaqësimin e grave në hapësirën publike.

Gonzato u shpreh se përfaqësimi aktual i grave në media nuk është i mjaftueshëm, ndërsa shumë pak është bërë deri tani për t’u përballur me sfida si diskriminimi, mungesa e zërit të barabartë, si dhe dhuna online ndaj grave dhe vajzave.

“Të reflektohet diversiteti dhe përfaqësimi i grave në media. Ajo që është vërë deri më tani nuk është e mjaftueshme për përfaqësimin e grave në media por edhe ndaj dhunës online. Duhet të ndihmojnë në një media të lirë”, u shpreh ai.

Ambasadori theksoi se për të forcuar rolin e grave në media kërkohet jo vetëm vullnet, por edhe angazhim i strukturave mediatike për të krijuar më shumë hapësira dhe mundësi për gazetaret dhe profesionistet e sektorit.

Sipas tij, një dimension i rëndësishëm i këtij procesi është rritja e transparencës dhe zhvillimi i një dialogu të hapur mes editorëve, gazetarëve dhe institucioneve, me qëllim ruajtjen e pavarësisë së medias dhe rritjen e standardeve profesionale.

“Evropa qëndron përkrahë Shqipërisë për të patur një fjalë të lirë, për të mbështetur gratë në media dhe të rritet dhe forcohet përfaqësia e tyre në media. Një dimension i rëndësishëm është edhe transparenca dhe një dialog i hapur për editorët, gazetarët dhe pavarësinë e medias”, tha Gonzato.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›