E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dëshmon vëllai i Hekuran Dedës, Zabit Deda: Shpresëplotë se SPAK do të zbardhë vrasjet e 21 janarit

Vëllezërit e Hekuran Dedës një nga 4 viktimat e 21 janarit, vrasja e të cilit është ende pa autor, janë paraqitur në Prokurorinë e Posaçme paraditen e kësaj të marte.

Për herë të parë, Zabit dhe Agim Deda janë vendosur përballë prokurorëve specialë në kuadër të hetimeve për zbardhjen e kësaj dosjeje, pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut e cila e konsideroi një krim shtetëror duke rënduar qeverisjen e asokohe e drejtuar nga Sali Berisha.

Për afro 2 orë është marrë në pyetje Zabit Deda, ndërkohë vëllai i tjetër Agim Deda do të paraqitet të mërkurën.

Pasi doli nga ambientet e SPAK, Zabit Deda tha se ka besim në zbardhjen e këtij krimi nga Prokuroria e Posaçme.

“Ato që na kërkuan i thamë. Shpresojmë se do zbardhet”, tha Zabit Deda.

Ndërkohë në kuadër të kësaj dosjeje, pritet që në ditët në vijim të merren në pyetje edhe ish-gardistët  si dhe ish-kreu i Gardës Ndrea Prendi apo dhe përgjegjësi i njësisë speciale në atë kohë Agim Llupo.

Një nga provat që SPAK ka në duar është edhe audio e komunikimeve të brendshme ku dëgjohet urdhri për të hapur zjarr.

Kjo audio është dorëzuar nga familjarët e viktimave të 21 janarit, të cilët prej vitesh janë ende në pritje të zbardhjes së ngjarjes dhe vendosjes përpara ligjit të personave që urdhëruan që të hapet zjarr ndaj qytetarëve.

Familjarët kanë ngritur akuza për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-ministrin e Brendshëm në atë kohë Lulzim Basha. Fillimisht kjo dosje ishte nën hetim nga Prokuroria e Tiranës, por pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut, e cila urdhëroi që ky krim shtetëror të hetohet, dosja i kaloi për kompetencë SPAK-ut./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›