Ekskluzive në “Në kohë reale” – Vrasja te Komuna e Parisit, avokati Cakrani ishte dëshmitarë: I njihja të dy. Ngjarja nisi në kuzhinë nga një grindje e çastit

Avokati Kujtim Cakrani ka qenë dëshmitarë në vrasjen e ndodhur në një lokal në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Gjatë intervistës së tij për emisionin “Në kohë reale” në RTSH, avokati tha se gjithçka ka ndodhur papritur, ndërsa ai ishte aty për të drekuar.
“Unë isha aty, sepse drekoj zakonisht në atë lokal, që ndodhet poshtë studios sime. I njihja të dy, isha duke dhënë porositë për drekë kur ndodhi ngjarja. Lokali ishte plot me njerëz dhe papritur dëgjuam zhurmë nga kuzhina,” ka treguar Cakrani.
Sipas tij, konflikti nisi mes dy punonjësve të lokalit, ku njëri prej tyre, Filim Shehi, që punonte prej një viti në atë vend, dyshohet se ka goditur kolegun e tij pas një grindjeje të çastit.
“Ata të dy e dinë më mirë si ka nisur sherri. Pas goditjes, kuzhinieri doli nga kuzhina dhe ra te dera e jashtme. Kamarierët po bërtisnin, ndërsa i plagosuri humbi jetën para se të mbërrinte ambulanca. Ka qenë një grindje në kuzhinë. Ai që ka goditur, me emrin Filim Shehi, tha se kishte një vit që punonte aty. I ndjeri kishte diçka më shumë. Kjo ka qenë një grindje e çastit, banale. Ata më thanë se nuk kishin rënë më parë në sy për konflikte,” është shprehur Cakrani.
Sipas të njëjtit burim, autori nuk është përpjekur të largohet nga vendngjarja.
“Ai u mbyll në një dhomë të personelit dhe priti policinë. Kur e arrestuan, ishte krejt i qetë,” ka shtuar Cakrani.
Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka shoqëruar autorin në komisariat, ndërsa trupi i viktimës është dërguar në morg për ekspertizë mjeko-ligjore. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të konfliktit, që sipas të dhënave paraprake, mund të ketë ardhur pas një momenti tensioni në punë.
/rtsh.al/