E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita e 11 e protestës kundër “Zvërnecit”, qytetarët kërkojnë largimin e qeverisë, nuk duan partitë e vjetra

Protesta e qytetarëve në Tiranë ka zgjeruar kërkesat nga ato fillestare që lidheshin kryesisht me investimin në zonën e Zvërnecit, në kërkesa politike. Në ditën e 11-të të protestës qytetarët u rimblodhën me pankarta dhe thirrje të ndryshme me fokus kryesor politik. Qytetarët artikuluan krijimin e një Kuvendi Kombëtar.

“Prandaj unë kam ngul që ne për të sjellë Shqipërinë e re duhet të ndërtojmë një sistem të ri dhe sistemi i ri nuk mund të nisë kuturuar. Le të thërrasim një Kuvend kombëtar ku të gjitha forcat përparimtare të shoqërisë shqiptare të bëhen bashkë në një tryezë të madhe me qindra njerëz”, tha një protestues.

Qytetarët i tremben provokimeve që politika mund ti bëjë protestës dhe kërkuan që partitë e vjetra politike t’i qëndrojnë larg protestës. Në disa momente pati edhe përplasje mes tyre.

“Të gjithë personat që do bashkohen në këtë protestë t’i bëjnë hesapet mirë se kjo është një protestë qytetare, jo partiake”, tha një tjetër protestues.

Protestuesit mbajtën pankarta të ndryshme në duar ku në sy ra ajo e “Shqipërisë së re”. Për të treguar se sa shumë janë në numër, në një moment u bë thirrja për të ndezur dritat e telefonit. Më pas protestuesit vijuan marshimin nëpër rrugët e kryeqytetit duke mbyllur pas disa orësh qëndresën e tyre me thirrjet për t’u rimbledhur sërish pasditen e të enjtes.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›