E Diel, 1 Nëntor 2026

Dogana dhe biznesi, dialog për konkurrueshmërinë dhe integrimin

TIRANË, 2 qershor /ATSH/ Drejtues të Administratës Doganore dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit u mblodhën sot në Durrës në kuadër të Forumit Biznes–Dogana, ku diskutuan mbi sfidat dhe mundësitë që sjell procesi i integrimit europian për ekonominë shqiptare.

Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja paraqiti prioritetet e Doganës Shqiptare në funksion të përafrimit me standardet e Bashkimit Europian, duke theksuar rëndësinë e modernizimit të legjislacionit, transformimit digjital të shërbimeve doganore dhe forcimit të kapaciteteve institucionale.

Gjatë forumit, një vend të rëndësishëm zuri programi i Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar (OEA), i cili synon të lehtësojë procedurat tregtare, të rrisë besueshmërinë e bizneseve dhe t’i përgatisë ato për funksionimin në tregun e përbashkët europian.

Nga ana e tij, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Neritan Golja vlerësoi dialogun e vazhdueshëm mes administratës doganore dhe sipërmarrjes, duke e cilësuar atë një faktor të rëndësishëm për rritjen e konkurrueshmërisë së biznesit shqiptar në tregun europian.

Pjesëmarrësit në forum theksuan se bashkëpunimi i ngushtë mes Doganës dhe biznesit mbetet kyç për përmbushjen e objektivave të Kapitullit 29 “Bashkimi Doganor”, një nga kapitujt e rëndësishëm të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Forumi shërbeu gjithashtu si një platformë për shkëmbimin e ideve dhe adresimin e çështjeve që lidhen me lehtësimin e tregtisë dhe përmirësimin e klimës së biznesit në vend.

1 nga 3

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›