Projekti i studios Herzog dhe de Meuron fitues për rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve

TIRANË, 2 qershor/ATSH/ Projekti i studios “Herzog dhe de Meuron Basel Ltd” dhe Julian Beqiri + “Marsela Demaj” + “Michel Desvigne (MDP)” + “Gentian Shkurti” + “SUEB INDUSTRIES sh.p.k.” + “The Space Factory Ltd” + “KLAR” sh.p.k u shpall fitues i konkursit ndërkombëtar për rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve.
Kryetarja e jurisë, Mari Randsborg, e cila shpalli edhe çmimet, tha se “ky projekt do të kontribuojë për zhvillimin e vazhdueshëm të Tiranës dhe pa pikë diskutimi do të krijojë vlerë për shumë breza të ardhshëm”.
“Juria i bën thirrje ekipit që të marrë në konsideratë lartësinë e kullës, vendndodhjen e saj në lidhje me gjithçka rreth e rrotull si dhe hapësirën lart, e cila duket pak si informale dhe e vogël. Ne si juri shpresojmë që ju si ekip do të bashkoheni ngushtësisht me qytetin, në mënyrë që të eksploroni më tej si mund të zgjerohen dhe përmirësohen hapësirat publike”, theksoi Randsborg.
Randorg e cilësoi këtë konkurs një mundësi të rrallë për të ripërfytyruar një prej monumenteve kulturore më të rëndësishme shqiptare, duke krijuar një objekt në përdorim të kombinuar që kontribuon për të ardhmen e Tiranës.
“Së bashku me rijetësimin e Pallatit të Kongreseve dhe të një kampusi të ri shumë funksional kjo ofron mundësinë për të forcuar jetën ekonomike sociale dhe kulturore të qytetit përmes një arkitekture të një cilësie sipërore. Juria iu qas konkursit me ambicien e qartë për të identifikuar një propozim që do të ishte i aftë të nderonte Pallatin e Kongreseve si një monument me rëndësi kombëtare dhe ta shndërrojë atë në një qendër tërheqëse për jetën publike social-kulturore”, tha Randsborg.
Olga Bolshanina, partnere në studion “Herzog dhe de Meuron”, tha se “kjo ndërtesë, për kohën kur është ndërtuar, ka qenë novatore dhe mbart histori. Ne mendojmë që duhet të ketë katër ose pesë ndërhyrje shumë të thjeshta që do ta rigjallërojnë Pallatin e Kongreseve dhe do të përmirësojë cilësinë e vetë. Pra, së pari, ne e kemi krijuar atë në një hapësirë të gjelbër, që kjo hapësirë brenda të jetë si një dhomë pritjeje në shtëpi, ndërkohë që pjesa tjetër është kopshti që ne mund të kemi në shtëpi. Kemi sallën e madhe të konferencave, do të kemi edhe pjesën e sipërme, ku edhe aty do të kemi mundësi që të ketë edhe takime. Këto janë elementët kryesorë të kësaj godine”.
“Ne dëshirojmë që të përmirësojmë pjesën e hyrjes për në Pallatin e Kongreseve, por edhe të përmirësojmë pjesën që është kati i nëndheshëm. Në projekt parashikohet krijimi i një një sheshi në vetvete dhe pjesën e këmbësorëve do ta sjellim këtu duke e bërë atë të hapur në mënyrë që të gjitha këto hapësira të lidhen me njëra-tjetrën dhe të bëhet e mundur që të përjetohet çdo hapësirë”, tha Bolshanina.
Ajo u shpreh se “gjithashtu do të kemi dhe një pjesë, që ne e quajmë atriumi, që do të jetë dhe pjesa kryesore. Do të jetë një shesh i ri që do të kalojë shkallë më shkallë poshtë. Do të jetë si një pyll, që do të përfaqësojë pyjet e Shqipërisë, por ndërkohë do të jetë dhe një hapësirë shumë e këndshme që të përdoret nga të gjithë”, tha ajo.
Bolshanina shtoi se duan të përmirësojnë akustikën dhe audion në sallën e madhe, si dhe hapësirat për t’u ulur.
“Është e rëndësishme që pjesa e sipërme, çatia është e vështirë tani për t’u përdorur edhe për t’u zëvendësuar, por ne besojmë se do ta bëjmë këtë me anën e një strukture të çeliktë duke na ofruar edhe më shumë dritë. Gjithashtu do të ketë edhe një amfiteatër që do të bëjë lidhjen me tarracën”, tha Bolshanina.
Sa i përket kullës që do të ndërtohet, Bolshanina tha se “për ne e rëndësishme ka qenë të vendoset në qendër në respekt të simetrisë së kësaj ndërtese. Duke qenë në qendër të saj e bën Pallatin e Kongreseve një strukturë që e përqafon këtë kullë”.
Projekti fitues për Pallatin e Kongreseve 1 nga 6/k.s/r.e/a.f/