Dokumentet biometrikë, shtohet numri i aplikimeve gjatë muajit gusht në Korçë

Gjatë muajit gusht është shtuar numri i aplikimeve për t’u pajisur me dokumente biometrikë. Kjo ka ardhur si shkak i rritjes së numrit të emigrantëve që vijnë në vendin tonë për të pushuar dhe gjatë kësaj kohe ri pajisen me pasaporta apo karta identiteti.
Burime të siguruara bëjnë me dije se në ditë pranë zyrës së kompanisë shtetërore “IdentiTek” në qytetin e Korçës, bëhen mesatarisht 30 aplikime për kartë identiteti dhe rreth 40 aplikime për pasaportë.
Për të përballuar fluksin në këtë zyrë punohet me kapacitet të plotë ndërkohë që qytetarët janë të kënaqur me shërbimin
Ndërkohë gjatë kësaj periudhe funksionon edhe një zyrë tjetër në bashkinë Korçë, pikërisht në fshatin Bulgarec ku mund të bëjnë aplikimin personat që jetojnë në zonat rurale përreth si dhe banorët e bashkisë Pustec.
Ndërkohë për të përballuar fluksin e aplikimeve, gjatë muajit gusht do të punohet edhe të shtunave.
Gazetare: Geralda Sali
/rtsh.al/