E Diel, 1 Nëntor 2026

Donadoni: Nuk do të jap dorëheqjen

Një ditë pas eleminimit të skuadrës nga kampionati, Roberto Donadoni sqaron gjithë thashethemet e thëna andej këndej për dorëheqjen e tij. “Të jap dorëheqjen? Nuk më shkon aspak ndër mendje”.

Këtë ka thënë Donadoni një ditë pas eleminimit të Italisë nga evropiani i futbollit duke shtuar se është i qetë, në pritje të vendimit të federatës për të ardhmen e tij.

“Nuk jam budalla dhe nuk kërkoj alibi. Do të ishte tepër e thjeshtë të fshihesha e të kërkoja falje”- ka shtuar më tej ai. Sipas tij, loja e skuadrës ka qenë e mirë dhe të gjithë luajtën deri në pikën e fundit të djersës. “Nëse do të flasim për rezultatin është tjetër gjë, por sjellja e skuadrës, ajo po. Unë e cilësoj të jashtëzakonshme”- shtoi më tej ai.

Gjatë mëngjesit ka folur me presidentin Abete, me të cilin shton se ka një marrëdhënie njerëzore, që i pëlqen. Por, vetëm kaq. Ai pranon se respekton atë që duhet të vendosë dhe nuk i pëlqen të bëjë reklama për askënd, e në këtë rast, edhe për veten.

“Ajo që unë kam bërë është në sytë e të gjithëve, nuk kërkoj mbështetje të asnjë tipi”- thotë Donadoni. I pyetur për një rikthim të mundshëm të Lippit në kombëtaren italiane, ai është përgjigjur se ka dëgjuar të shkruhet prej ditësh. Por nuk ka dashur të bëjë asnjë koment.

“Që nga koha që jam këtu, kanë vendosur të mos lexoj kritika, as negativet, as ato pozitive”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›