Ryshfetet, Siemens del hapur, politika kërkon hetim
Kompania gjermane e telefonave Siemens ka dorëzuar të gjithë informacionin në lidhje me skandalin që ka përfshirë këto kohë Greqinë. Siemens akuzohet se gjatë fushatës elektorale ka dhënë para në favor të partive politike. Zhvillimet më të fundit flasin për këshilltarin e ish-kryeministrit grek, Kostas Simitis, i cili në vitin ’99 ka pasur një takim me kreun e Siemens në Greqi, Mihalis Kristofakos, takim ky që i ka dhënë fushatës elektorale të PASOK-ut shumë financuese prej 420 mijë eurosh.
Kjo do të thotë se janë pohuar zërat në lidhje me financimin dhe ryshfetet që kompania gjermane ka dhënë për politikanët grekë, një shumë kjo që kap vlerën e milionave eurove. Akuzat me të cilat Siemens përballet do të sjellin që kompania ti nënshtrohet hetimit përsa i përket veprimtarisë së kësaj të fundit edhe në shtete të tjera, por ky nuk është rasti i parë i një skandali të tillë.
Vetëm muajin e kaluar ish-kreu i kompanisë është vënë përballë gjykatës në Munih të Gjermanisë në po të njëjtën situatë. Sipas burimeve shuma prej 1.3 miliardë eurosh është deklaruar si fonde dhe financime, por jo për fushata politike apo politikanë të caktuar. Nga ana tjetër, prokurori Athanasiu ka kërkuar gjithashtu hetim edhe në lidhje me një marrëveshje të nënshkruar me Siemens në vitin 1997.
Sipas burimeve, ryshfetet që Siemens ka dhënë gjatë fushatës elektorale kapin vlerën 2 milionë euro. Pak ditë më parë, Karamanlis është shprehur se është pro një hetimi në lidhje me këtë çështje. Sipas tij, mundësia që parlamenti të vendosë për hetimin e politikanëve duhet të jetë e hapur. Po të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe kreu i PASOK, Jorgos Papandreu, i cili tha se të gjithë elementët e partisë së tij, për të cilët vërtetohet se kanë qenë pjesë e kësaj afere korruptive, do të merren masa për largimin jo vetëm nga qeveria por edhe nga partia.