E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta sërish në rritje, OPEC ende pa zgjidhje

Çmimet e naftës kanë shënuar sërish rritje, pasi takimi mes krerëve të vendeve prodhuese dhe eksportuese të naftës nuk dha asnjë rezultat konkret. Bursa e New Yorkut ka shënuar nivelin 136 $ për fuçi, në një kohë që Brenti i Londrës është kuotuar në 136.15 $ për fuçi.  Rritja e çmimeve, ka ardhur pavarësisht faktit se Arabia Saudite vendosi të rrisë prodhimin e naftës me 200 mijë fuçi në ditë. Rritja e çmimeve të karburanteve ka shkaktuar protesta masive në shumë vende të botës, për shkak se rritja me mbi 40 % ka sjellë një rritje të madhe të kostos së jetesës. Takimi në Xhedah të Arabisë Saudite, synonte që prodhimi ditor i naftës të arrinte në 9.7 milionë fuci nga fundi i Qershorit apo rreth 500 mijë fuci në ditë që nga Maji, por mungesa e një bashkëpunimi konkret në lidhje me prodhimin e naftës nuk i ka dhënë zgjidhje këtij problemi.  Edhe pse çmimet e arit të zi janë të larta, rritja e madhe e tyre nuk ka çuar në rritjen alarmante të inflacionit. Sipas analistëve, faktorët që kanë çuar në rritjen e çmimit janë kërkesa e lartë e në rritje në Azi, prodhimi i ulët, tensionet politike në Lindje e Mesme, dhe dobësimi i vazhdueshëm dhe i madh i dollarit amerikan.  Shqipëria është një ndër shtetet më të pasura më naftë në të gjithë Evropën dhe zë vendin e 3-të pas Norvegjisë dhe Anglisë në rezervat e naftës dhe gazit natyror, por sërish mungesa e një strategjie për të shfrytëzuar të gjitha burimet ekzistuese ka sjellë që prodhimi të bjerë nga viti në vit, duke bërë që importi i karburanteve të çojë në një varësi të madhe ndaj tregjeve ndërkombëtarë. Aktualisht, Shqipëria ka 300-400 milionë tonë naftë, në një kohë që shfrytëzon vetëm 10-15 % të tyre. Prodhimit i arit të zi arriti rekordin në vitin 1965, kur sasia vjetore kapi shifrën 2,4 milionë tonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›