Dritat, KESH kërkon të blejë 727.200 MW për prill-qershor ‘08
KESH ka nisur zyrtarisht procedurat për blerjen e energjisë elektrike për periudhën prill-qershor 2008. Burime zyrtare nga korporata bëjnë të ditur se tenderi i hapur ndërkombëtar do të zhvillohet më 17 mars, ku synohet blerja e rreth 727 mijë MW energji elektrike nga importi. I ndarë në tri lote, në periudha, sasi dhe vlera të ndryshme, kostoja totale për sigurimin e energjisë shkon deri në 63 milionë euro, si fond limit, bashkë me taksat. KESH është i detyruar të zhvillojë blerjen për këtë sasi energjie, pas dështimit të tenderit të madh, të muajit nëntor 2007, ku nuk u sigurua e gjithë sasia e kërkuar për efekt të çmimit të lartë të MW. Por nëse KESH nuk arrin të sigurojë të gjithë sasinë e kërkuar edhe në këtë tender të hapur, atëherë sipas ligjit të ri për prokurimin publik, diferenca e mbetur do të blihet me procedurë të drejtpërdrejtë. Kështu, ofertat do të jenë: për muajin prill 288.000 MWh me vlerë 20184250 euro; për muajin maj 223.200 MWh për 15856798 euro dhe qershori 216000 MWh për 16440279 euro.
Ndërkaq, miratimi për rritjen e tarifave të energjisë elektrike nuk e kënaq aspak KESH-in, i cili duhet të përballet financiarisht me çmimin e lartë të ofruar në tender. Për këtë arsye, vitin e kaluar dështoi tenderi i madh, duke krijuar një gjendje të vështirë furnizimi për popullatën. KESH kërkoi rritje të çmimit mesatarisht me 37 për qind, për të siguruar të ardhura të mjaftueshme për blerjen e energjisë nga importi, ndërsa ERE aprovoi rritje vetëm me 18 për qind.
Privatizimi
Këshilli i Ministrave miratoi dje në mbledhjen e radhës formulën e privatizimit të shoqërisë anonime "Operatori i Sistemit të Shpërndarjes" (OSSH), ish-Divizioni i Shpërndarjes në KESH, të propozuar nga ministri i Energjetikës. Ky ligj, të cilin Kryeministri Berisha e veçoi të një rëndësie të veçantë, ka të bëjë me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes së KESH.
Sipas Kryeministrit Berisha, procesi për privatizimin e shpërndarjes së energjisë elektrike është realizuar me angazhimin për një periudhë 18-mujore të Bankës Botërore. Sipas formulës së miratuar dje, qeveria nxori në shitje vetëm 76% të aksioneve të OSSH-së, sikundër veproi me "Albtelekom"-in dhe "Armo"-n. Duke vlerësuar, ndër të tjera, edhe punën serioze të bërë nga Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës, Kryeministri u shpreh se formula e privatizimit të shpërndarjes së energjisë elektrike që do të dërgohet në Parlament për miratim është gjykuar më e përshtatshmja edhe nga konsulentët ndërkombëtare, ndër variantet e paraqitura.