Në bursa gruri prek rekordin, 450 USD/ton
Kriza e çmimeve të produkteve bujqësore ka alarmuar Bankën e Shqipërisë, e cila indirekt ka këshilluar qeverinë që të reagojë ndaj kësaj situate. Banka Qendrore sugjeron ndërmarrjen e reformave urgjente për të modernizuar bujqësinë në vend si shpresa e vetme për të stabilizuar çmimet e artikujve ushqimorë. Në deklaratën e radhës, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës Qendrore thotë se "Banka e Shqipërisë rithekson nevojshmërinë e ndërmarrjes së reformave strukturore në bujqësi, me qëllim rritjen e eficencës dhe prodhimit në këtë sektor, në mënyrë që në një periudhë afatmesme të mund të zvogëlohen përmasat dhe efektet e goditjeve nga jashtë që kanë të bëjnë me prodhimet bujqësore". Kjo deklaratë e bankës vjen në një moment kur kriza ndërkombëtare e drithërave sa vjen e rëndohet. Çmimet e grurit në tregun ndërkombëtar kanë shënuar dje nivele rekord prej 450 dollarësh për ton, duke shkaktuar një situatë paniku në treg. BSH evidenton faktin se kriza energjetike, çmimet në rritje të naftës dhe drithërave, si dhe rritja e çmimeve të importit, kanë qenë faktorët kryesorë të ofertës që kanë ndikuar në norma më të larta të inflacionit gjatë periudhës gusht-shtator 2007. "Në të njëjtën kohë, në kahun e kërkesës ka vepruar edhe rritja e vazhdueshme e kredisë për sektorin privat, e cila, megjithëse ka vijuar të rritet me norma më të ulëta këto dy vitet e fundit, mbetet një faktor potencial që mbart rrezik në arritjen e objektivit të inflacionit", u shpreh dje guvernatori Ardian Fullani.