Misioni i pamundur për të shuar zjarret
Nëse do të binte zjarr në shumë lagje të Tiranës, asnjë zjarrfikëse nuk do të mund të hynte për të shuar flakët, për shkak se pallatet janë ngjitur me njëri-tjetrit dhe mezi kalojnë njerëzit e jo më makinat zjarrfikëse.
Hekura të ngulur në rrugët publike, për të mos lejuar parkimin e makinave përpara shtëpive private, blloqe betoni, rrugë të ngushta dhe që ngushtohen çdo ditë e më tepër nga ndërtimet me leje e pa leje, makina të parkuara në të dyja anët e rrugës, rikonstruksioni i rrugëve, pallate ngjitur me njëri-tjetrin, janë tashmë monotoni e vështirësive të zjarrfikësve.
Punonjësit e këtij reparti e kanë shumë të vështirë të shuajnë flakët e zjarrit, nëse njoftohen për rënie zjarri në lagje që kanë probleme të tilla. Makina zjarrfikëse do të vijë vërdallë për minuta të tëra, për të gjetur rrugën hyrëse për në ndërtesën ku ka rënë zjarri, edhe në rastin kur e gjen, zjarrfikësit nuk mund të shuajnë dot zjarrin, pasi ka blloqe të tëra betoni ose pirgje me mbeturina inerte që të pengojnë të shkosh deri në vendngjarje.
Sapo del nga reparti i PMNZSH-së, makina zjarrfikëse do të përpiqet të çajë mes përmes vargut të makinave në trafikun e rënduar që shikon në çdo moment të ditës në kryqëzimin e "21 Dhjetorit" dhe në "Rrugën e Kavajës". Pas nëntë minutash pritjeje në këtë trafik, zjarrfikësja mbërrin afër vendit të ngjarjes. Por nuk mund të shkojë dot deri në objektin ku ka rënë zjarri, sepse parkimi i automjeteve në të dyja anët e rrugës e bën të pamundur kalimin e saj. "Në raste të tilla jemi të detyruar të zgjasim tuba, por kjo sjell vonesa në shuarjen e flakëve", tregon për "Fiks Fare" z. Gëzim Dedja, komandant i shërbimit në repartin e PMNZSH-së.
Janë disa rrugë në kryeqytet, ku zjarrfikësit e kanë të pamundur të ndërhyjnë në rastet e rënies së zjarrit. Te rruga ku ndodhet tregu çam është e pamundur të hyjë makina zjarrfikëse. Tregtarët që shesin, me artikujt që nxjerrin në rrugë, pengojnë kalimin e automjeteve. Për një makinë zjarrfikëseje është e pamundur gjithashtu të hyjë në këtë rrugë, sepse nuk kalon dot. Kjo rrugë është edhe vatra më e nxehtë për zjarre, si ditën, ashtu edhe natën, për shkak jo vetëm të tregtarëve, por edhe të rrugicave mjaft të ngushta.
Po kështu, një rrugicë tjetër që vështirëson punën e tyre është edhe një rrugë që lidh "Myslym Shyrin" me "Rrugën e Kavajës". Ndërtimi i një vendparkimi nën tokë rrezikon kalimin e makinave të rënda të zjarrfikëseve. Asnjë makinë e tillë nuk guxon të kalojë në këtë rrugë, sepse rrezikon të shembet dyshemeja prej betoni.
Gjithashtu, lagjet e vjetra te "Pazari i Ri" janë tmerri i zjarrfikësve. Punimet nëpër rrugë e bëjnë të pamundur kalimin e tyre. Sepse kur fillon rikonstruksioni i rrugëve, nuk mendohet se gjatë kohës së rikonstruksionit mund të bjerë zjarr diku. Rrugët bllokohen nga të dyja anët, duke mos lënë vend kalimi për rastet e emergjencës.
Kamera e "Fiks Fare" filmoi të gjitha rrugët problematike në kryeqytet, ku zjarrfikësit e kanë të pamundur të kalojnë.
- "Rruga e Barrikadave" - në këtë rrugë po bëhen punime për zgjerimin e rrugës. Punimet bëhen në të dyja anët, pa u lënë asnjë hapësirë zjarrfikëseve
- Rruga pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Bëhen punime dhe rruga është ngushtuar shumë
- Rruga e Kavajës (rrugica e kishës, pranë palestrës së Tiranës). Është bërë një sheshparkim i nëndheshëm dhe makinat e zjarrfikëses nuk hyjnë, sepse ekziston rreziku i shembjes së dyshemesë
-Rruga te tregu çam. Tregtarët, me mallrat që shesin në rrugë, e bëjnë të pamundur kalimin e makinave zjarrfikëse