Shëndetësia, sistemi i së ardhmes
Një ditë më parë, gazeta "Shqip ngriti disa shqetësimë lidhur më gjendjen aktuale në Spitalin "Nënë Tereza", qendrën më të madhe universitare të shërbimeve spitalore në vend. Duke e vlerësuar shqetësimin e ngritur në këtë gazetë, nga një analist i njohur dhe në respekt të publikut, e ndjej si detyrim të shpreh disa mendime lidhur me sistemin e sotëm shendetësor dhe përspektivën e tij.
Natyrisht, që kur erdha në krye të ministrisë së Shëndetësisë e dija se kisha të bëj me një nga sektorët më të vështirë dhe me një impakt të gjerë te publiku. Me dhjetra dhe qindra qytetarë në nevojë kërkojnë çdo ditë shërbim nga institucionet shendetësore në të gjithë vendin. Sistemi i trashëguar dhe problemet e akumuluara në këtë sistem gjatë shtatëmbëdhjetë viteve e bënin ndryshimin në këtë sektor edhe më të vështirë, aq më tepër që kemi të bëjmë çdo ditë me shendetin e qytetarëve, me jetët e tyre. Shpallja si prioritet në programin e qeverisë dhe rritja progresive e buxhetit nga një vit në tjetrin, megjithatë ishin të pamjaftueshme për ta nxjerrë sistemin nga kolapsi dhe për ta sjellë atë në parametrat që sot kanë sistemet shendetësorë në rajon dhe në Evropën e bashkuar.
Vendimi im i parë dhe i rëndësishëm në krye të ministrisë së Shëndetësisë, ishte vendimi për të reformuar sistemin për ta nxjerrë atë nga gjendja kaotike e një ndërmarrjeje gjysmësocialiste e gjysmëkapitaliste, me një nivel funksionimi tërësisht të pakënaqshëm. Sistemi, jo vetëm që ishte ngrirë dhe lëvizte shumë ngadalë, por në këtë gjendje stanjacioni ishin kthyer në rutinë disa prej sindromeve më të këqinj të tranzicionit shqiptar, si abuzimi me detyrën, korrupsioni, papërgjegjshmëria në menaxhimin e fondeve, mungesa e kujdesit për pacientët, pagesat informale nën dorë, si dhe në mjaft raste, mungesa e kapaciteve për të ofruar shërbimin e kërkuar.
Sidoqoftë, kur po bëhet viti, kur unë jam në krye të ministrisë së Shëndetësisë, mund të them se shumë gjëra kanë ndryshuar pozitivisht, se tashmë reformat janë futur në një proces të pakthyeshëm dhe se objektivi i qeverisë për shendetësinë si prioritet në programin e saj, është në procesin e realizimit.
Bazuar në bilancin e punës njëvjeçare vlerësoj se viti 2007 ishte një vit i rëndësishëm dhe pozitiv për shëndetësinë shqiptare. Ka disa tregues ku bazohet ky vlerësim: është gjendja faktike në institucionet tona shëndetësore, është mbështetja në rritje e opinionit publik dhe është raporti i progresit i Bashkimit Evropian për Shqipërinë. Të gjithë këta komponentë njohin dhe vlerësojnë zgjerimin e shërbimeve shëndetësore, rritjen e cilësisë së shërbimit dhe në tërësi, rolin e ministrisë së Shëndetësisë në hartimin e politikave dhe marrjen e vendimeve afatgjata për reformimin e sistemit.
Konkretisht, gjatë vitit tim të parë në krye të ministrisë së Shëndetësisë, aktiviteti i kësaj ministrie u përqendrua në në hartimin e politikave shëndetësore, në reformimin e sistemit të administrimit, në rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe në zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtarë.
Unë mund të them se një ndër arritjet më të rëndësishme të vitit që shkoi ishte Strategjia Kombëtare, si dhe një numër i madh vendimesh, ligjesh, urdhrash dhe dokumentesh të tjera zyrtare që u ndërmorën gjatë gjithë vitit 2007. Ne përfunduam draftin e Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë për 7 vitet e ardhshme, morëm mbështetjen e donatorëve dhe të qeverisë shqiptare, si dhe tani, kemi hyrë në fazën më të rëndësishme, të zbatimit të kësaj strategjie. Produkti final i kësaj strategjie do të jetë një sistem shëndetësor efektiv, modern, profesional, që ndikon direkt në përmirësimin cilësor të jetës dhe shëndetit të të gjithë qytetarëve.
Edhe në administrimin e sistemit gjatë vitit 2007 sollëm një risi pozitive: vendosjen e administratorëve në krye të procesit, një praktikë kjo e provuar me sukses në vendet e tjera evropiane. Në ato institucione ku pati një harmonizim të mirë midis drejtimit administrativ dhe drejtimit mjekësor konstatuam se arritjet ishin më evidente. Mjafton që sot të shihen spitalet rajonale dhe konstatohet lehtësisht se ky model i ri administrimi ka qenë frutdhënës. Kjo është një bazë e mirë për të vazhduar në këtë drejtim. Ne jemi të vendosur t‘u japim sa më shumë hapësirë veprimi institucioneve shëndetësore, për më shumë autonomi financiare dhe vendimmarrje, për më shumë mbështetje me ekspertizë dhe përfshirje në projekte me donatorë të ndryshëm, në mënyrë që çdo institucion shëndetësor të jetë i aftë të konkurrojë në cilësi dhe në shërbim.
Një reformë e rëndësishme, e cila nisi më 2007 me shërbimin parësor dhe do të zgjerohet edhe në nivele të tjera, është kalimi i shërbimeve tek ISKSH-ja. Kjo skemë funksionoi dhe jemi të gjithë dëshmitarë të suksesit të saj, pavarësisht rezistencës dhe kritikave që erdhën nga nivele lokale e pushtete të tjera, mentalitetet e të cilave kanë mbetur 10 vjet prapa. Me ligjin e ri të financimit të kujdesit shëndetësor reforma e kalimit të shërbimeve nga ministria tek ISKSH-ja do të bëhet më e plotë dhe më konkrete. Ky ligj mbetet një nga ligjet dhe prioritetet tona kryesore për vitin 2008. Reforma e financimit mbetet thelbësore, por që të ketë sukses, ajo kërkon një angazhim real të strukturave politike vendimmarrëse të qeverisë, Parlamentit dhe njëherësh një ndërgjegjësim publik të vetë qytetarëve dhe stafit mjekësor. Ne, aktualisht kemi nivelin më të ulët të kontributeve shëndetësore në Evropë. Synimi ynë është dyfishimi i kontributeve, në mënyrë që sistemi të bëhet funksional, e që ne të kemi mundësinë për të ofruar shërbime sa më cilësore, profesionale e të shpejta për të gjithë qytetarët.
Aspekt tjetër i reformës administruese ishte përfshirja për herë të parë e sistemit të ri të kontrollit dhe vlerësimit të cilësisë dhe standardeve. Ky sistem mundëson matjen e punës së mjekëve dhe kapaciteteve profesionale të çdo spitali, rritjen e transparencës dhe përdorimin më me efektivitet të burimeve njerëzore dhe pajisjeve mjekësore. Ky sistem vlerësimi do të shtrihet në të gjitha institucionet shëndetësore dhe mbi bazën e konkluzioneve të tij do të bëhet më e lehtë vendosja e kritereve vlerësuese dhe e mbështetjes financiare nga ana e buxhetit të shtetit.
Gjatë vitit 2007 patëm gjithashtu një rritje të buxhetit të shtetit dhe në tërësi, të investimeve shtetërore e private në sistemin shëndetësor. Janë kryer investime të mëdha në QSUT, në spitalet e Shkodrës, Elbasanit, Korçës, Durrësit, etj. Kemi gati dhe jemi në pritje të vendimit të qeverisë për ligjërimin e Spitalit të ri Alternativ të Tiranës, kemi nisur punën për spitalin e Kavajës dhe jemi në fazë përgatitore të punimeve për spitalin e ri të Fierit. Investime shumë herë më të mëdha janë bërë në furnizimin me pajisje shëndetësore moderne, me futjen e teknologjive të reja dhe si produkt i parë i tyre, ne shumë shpejt do të realizojmë transplantin e parë në Tiranë nga mjekë shqiptarë. Një risi tjetër e vitit 2007 ishte reforma në administrimin e disa shërbimeve bazë, si pastrimi, ruajtja, ushqimi, hoteleria, etj, të cilat kaluan nën administrim privat. Ne planifikojmë që ky proces të zgjedhoret me shërbimet e urgjencës, dializës, etj, si dhe kjo të realizohet jo vetëm në QSUT por në të gjitha spitalet rajonale.
Po ashtu, gjatë 2007 u dhamë më shumë autonomi dhe përgjegjësi organeve të qeverisjes vendore. Krahas Grandit Konkurrues, me të cilën realizuam ndërtimin e 316 qendrave shëndetësore dhe rikonstruktimin e 104 qendrave të tjera, me vendim të qeverisë krijuam Borde Drejtuese të Qendrave Shëndetësore, ku pushteti vendor do të ketë përfaqësuesin dhe votën përcaktuese.
Në aspektin e kujdesit ndaj vetë personelit mjekësor, ministria dhe në tërësi qeveria vijuan të dëshmojnë angazhime serioze, siç ishte rritja me 20-25% e rrogave për personelin mjekësor, hapja e kursit të specializimeve, rritja e investimeve, si dhe rritja e mbështetjes financiare për kualifikimin e mëtejshëm të mjekëve shqiptarë apo për realizimin e projekteve të përbashkëta me kolegë të vendeve të tjera.
Më duhet të theksoj vecanërisht vëmendjen time të vazhdueshme ndaj spitalit universitar "Nënë Tereza". Me duhet të pranoj se gjatë këtij viti e gjithë vëmendja jonë është përqendruar në ndryshimin e shpejtë të gjendjes në këtë spital, duke e konsideruar atë si fytyrën e shëndetësisë shqiptare.
Me reformat që janë ndërmarrë dhe me investimet që janë kryer dhe janë në proces, Qendra Spitalore Universitare po ndryshon çdo ditë dhe projekti është që, deri në fund të vitit 2009, ky spital të jetë një ndër më të mirët e më modernët në Ballkan. Sot, me gjithë vëshirësitë që konstatohen ende, ndryshimi është lehtësisht i përceptueshëm. QSUT është shndërruar në një kantier të vërtetë ndërtimi ku po realizohen investime shumë të rëndësishme. Këto investime janë përqendruar në rikonstruksionin dhe ndërtimin e godinave të reja, në pajisjen e spitalit me teknologji moderne mjekësore, në përmirësimin e infrastrukturës së shërbimeve dytësore nëpërmjet procesit të privatizimit. Ndërtimi i Urgjencës, i sallave të transplanteve dhe shtimi i mjaft ambienteve të gjelbërta në ambientet e brendshme. Është përmirësuar cilësia, gatimi dhe shpërndarja e ushqimit në të gjitha shërbimet (ky fakt është lehtësisht i verifikueshëm) nëpërmjet privatizimit të shërbimeve.
I përmendëm të gjitha këto vetëm për të shpjeguar punën që është bërë për të ndryshuar rrënjësisht sistemin shëndetësor dhe në veçanti, gjendjen në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Kjo nuk do të thotë se gjithçka është bërë mirë ose se brenda disa muajve mund të ndryshojë një sistem i vendosur prej shumë dekadash. Si ministër dhe politikan mirëpres dhe respektoj çdo mendim kritik, por në çdo rast nuk mund të mirëpres apo duartrokas komentet që shohin vetëm një anë, e fatkeqësisht anën më negative, atë që duket në imazh dhe jo në thelbin e funksionimit të sistemit. E di se disa gjëra mund të ishin bërë më mirë, se çështjet e trafikut në lëvizje apo numrit të madh të qytetarëve që vijnë në institucionet mjekësore kërkojnë sa reflektim administrativ, aq edhe në mentalitetin e (vet) kujdesit për shëndetin. Në çdo rast garantoj kritikët dhe mbështetësit, dhe në një plan më të gjerë të gjithë qytetarët shqiptarë se, ministria e Shëndetësisë është tërësisht e angazhuar për të reformuar sistemin shëndetësor, për të arritur standardet e një shëndetësie efektive, funksionale, profesionale dhe të shpejtë.