Zgjedhjet në Himarë, Yzeiri: Klasa politike ka humbur orientimin shqiptar, shet vendin për hir të pushtetit

Analisti Ilir Yzeiri ka deklaruar në studion e RTSH 24 se klasa politike shqiptare e ka humbur orientimin shqiptar dhe patriotik.
Duke folur për zgjedhjet në Himarë, Yzeiri tha se klasa politike për hir të pushtet shet interesat e Shqipërisë.
“Klasa politike, sidomos opozita ka humbur orientimin shqiptar dhe patriotik që për hir të pushtet është gati të shesë jo vetëm Shqipërinë por të shesë edhe Ballkanin”, u shpreh Yzeiri.
Sipas Yzeirit, problemi që po nxitet aktualisht në Himarë i takon qarqeve jashtë Shqipërisë dhe Greqisë, ndërsa theksoi se Tirana dhe Athina zyrtare duhet të zgjidhin mes tyre çështjen e detit, atë të Çamërisë si dhe ligjin e luftës.
“Problemi që po nxitet aktualisht është krijuar prej atyre institucioneve që janë jashtë Shqipërisë dhe jashtë Greqisë që mbajnë të ndezur akoma retorikën e viteve 1912, 1913 apo më pas. Dhe vijojnë të ushqejnë keqkuptime dhe ndarje midis Shqipërisë dhe Greqisë. Kjo për fat të keq është reflektuar edhe në politikën e sotme greke. Ne duhet t’i përgjigjemi Greqisë me të njëjtën monedhë që duke i kujtuar Greqisë nëse ka një problem mes nesh është problemi i detit që duhet zgjidhur dhe problemi çam, si dhe problemi i ligjit të luftës”, tha më tej Yzeiri.
/rtsh.al/