E Martë, 3 Nëntor 2026

IKMT heq 10 kabinat e vendosura pa leje në qendër të Thethit

TIRANË, 8 korrik/ATSH/ Në ditën e dytë të aksionit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, janë larguar plotësisht 10 kabinat e ndërtuara në qendër të Thethit.

Kryeministri Edi Rama, e denoncoi ditën e djeshme këtë ndërtim, në një komunikim të drejtpërdrejtë, ku akuzoi edhe prokuroren Elsa Gjeli për mosnisjen e hetimit pasi Policia e Shtetit referoi materialet si ndërtim pa leje.

Kryeministri Rama njoftoi dje se “natyrisht që të gjitha kabinat e “fshatit turistik” të kriminelit që plagosi Thethin do i marrë shteti”.  Rama po ashtu theksoi se “ministria e Drejtësisë po përgatit denoncimin e skandalit “Gjeli” në Këshillin e Lartë të Prokurorisë”.

Ditën e djeshme janë larguar katër prej këtyre kabinave, ndërsa sot janë larguar edhe gjashtë të tjera, duke liruar sheshin përpara kishës.

Gjatë ditës së sotme, grupet e punonjësve të bashkisë Shkodër kanë nisur pastrimin dhe sistemimin e plotë të sheshit në Theth, në një prej pikave turistike që është kthyer në një atraksion absolut për turistët e huaj, por edhe vendasit.

Ky shesh, tashmë i lirë do të jetë në funksion të publikut, pushuesve dhe turistëve që zgjedhin të vizitojnë Thethin në çdo periudhë të vitit duke e kthyer në një atraksion turistik gjithëvjetor.

/e.i//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›