Kavajë, kontrolle në zbatim të planit operacional “Plazhi i lirë”

TIRANË, 8 korrik/ATSH/ Në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, Policia e Kavajës ka vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse nga subjektet në bregdet, duke vënë çadra dhe shezlongë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, në zbatim të planit operacional “Plazhi i lirë”, kanë ushtruar kontrolle në territorin e Golemit.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, nga kontrollet u konstatuan disa hapësira në rrugë, të cilat ishin përshtatur për ambiente me qëllim përfitimi, pa leje nga organet kompetente.
Qytetarët që i kishin zënë këto hapësira, i liruan ato, me mirëkuptim.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës do të vijojë kontrollet për të ndaluar çdo shkelje që cenon hapësirat publike dhe sigurinë e pushuesve. Ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në numrin 112.
/e.i//a.f//r.e/