Nis punën Zyra e Administrimit të Parkut Kombëtar të Vjosës

TIRANË, 8 korrik/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur se ka nisur punën Zyra e Administrimit të Parkut Kombëtar të Vjosës.
Kjo zyrë ka një rol kyç në misionin e mbrojtjes së Vjosës dhe luginës së saj, biodiversitetit dhe menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore.
“Respekti për mjedisin është në themel të vizionit për një menaxhim të qëndrueshëm e të kujdesshëm në mënyrë që Vjosa dhe pasuritë e saj të mbeten të gjalla edhe për brezat e ardhshëm. Vetëm duke qenë së bashku, përmes një koordinimi të ngushtë nga punonjësit e zonave të mbrojtura përgjatë Vjosës, te mijëra vizitorëve që e shijojnë çdo ditë e deri në çdo institucion qendror, mund t’i japim një mbrojtje të denjë Vjosës dhe degëve të saj, mbretëreshës së lumenjve të Europës”, shkroi ministrja Kumbaro në rrjetet sociale.
Vjosa, lumi i fundit i egër në Europë është shpallur Park Kombëtar (Kategoria II e zonave të mbrojtura mjedisore), në bazë të së cilit, nga burimi i tij deri te derdhja në det, duke përfshirë të gjitha degët, i ofrohet mbrojtje e plotë kombëtare dhe ndërkufitare.
Pellgu ujëmbledhës përreth u siguron fshatrave tokë pjellore për aktivitete bujqësore si prodhimtaria bujqësore dhe blegtoria. Bollëku dhe diversiteti i peshqve është jetik për mirëqenien e peshkatarëve vendas, kryesisht në pjesën e poshtme të Vjosës. Ekoturizmi në Vjosë dhe degët e saj është gjithnjë në rritje, veçanërisht vitet e fundit pasi të apasionuarit kanë filluar të shijojnë aktivitete të tilla si rafting, kanoe, kajak dhe not.
/a.f//r.e/