E Diel, 1 Nëntor 2026

Dunga: Vë bast për Adrianon dhe Paton!

 

Trajneri i Brazilit flet për kampionët e "Selesaos" dhe për pjesëmarrjen në "Pekin 2008"

Adriano merr notën maksimale. Kaka dhe Pato kalojnë klasën. Ronaldinjo do të japë provimin e vjeshtës në Pekin. Amauri ngel në klasë, të paktën deri në nëntor. Dida meriton një tjetër apel. Këto janë notat e vëna nga Karlos Dunga, trajneri i kombëtares braziliane. Dunga po harxhon ditët e fundit të pushimit, duke bërë llogari për "Selesaon", që do të marrë me vete në "Pekin 2008". "Tradhtia" e Kakasë i përket së kaluarës. Një trajner-mësues duhet t'i kuptojë nxënësit e tij dhe të falë gabimet e tyre. Kjo ndodhi me Ronaldinjon, i cili i ktheu shpinën një vit më parë, gjatë Kupës së Amerikës, ndërsa tani i ka kërkuar një vend në kombëtaren olimpike. "Dinjo" ka dëshirë të rikthehet protagonist dhe "Pekin 2008" është një mundësi reale. "Ronaldinjo dëshiron të luajë në Pekin, por a do ta lejojë Milani?"

- Milani nuk e ka përfunduar ende blerjen e Ronaldinjos dhe nuk mund të vendosë për të...

- Gjithsesi, "Dinjo" ka shprehur dëshirën e tij për të shkuar te Milani dhe për të luajtur në Pekin. Dëshira e futbollistëve është gjithmonë parësore. Shanset e tij për të qenë te Milani janë të barabarta me mundësitë që të luajë në Olimpiadë.

- Gazetat braziliane kanë shkruar për një Ronaldinjo të shëndoshë...

- Ekzagjerimet e zakonshme. Ronaldinjo ka vetëm disa kile më shumë, të cilat do t'i humbasë së shpejti dhe do të jetë "ylli" i Olimpiadës, së bashku me Paton. Ky djalosh më pëlqen gjithnjë e më shumë. Problemi është se të gjithë kërkojnë mrekulli prej tij, duke harruar se akoma nga i ka mbushur 20-vjeç. Harrojnë se ka ende të drejtë të gabojë, sepse është duke mësuar.

- Pato ka hyrë si protagonist në Serinë A...

- Çfarë ju thashë më lart? Pato është i lindur për të shënuar. Ai mund të shënojë në çdo kampionat, ndaj cilitdo kundërshtari. Të shënosh është e rëndësishme, por nuk është gjithçka. Pato duhet të mësojë të jetë protagonist gjatë 90 minutave dhe jo vetëm kur pret topin.

- Pato Kaka Ronaldinjo: mund të luajnë së bashku?

- Sigurisht. Janë 3/4-t e sulmit të Brazilit tim. Pato dhe Robinjo në sulm, Kaka dhe Ronaldinjo disi më të tërhequr, në rolin e fantazistëve. Më pas, duhen edhe dy mesfushorë me tipare mbrojtëse që t'i japin ekuilibrat skuadrës. Unë kam në dispozicion Xhilberto Silvën dhe Mineiron, por edhe Milani mund të luajë në të njëjtën mënyrë me futbollistë të tillë, si: Pirlo, Gatuzo apo Flamini.

- Milanit i mungon dikush si Robinjo?

- Sedorf është shumë i aftë për të luajtur në atë rol.

- Keni sqaruar gjithçka me Kakanë?

- Nuk kam pasur asnjëherë probleme me të. Kaka është një kampion i padiskutueshëm dhe unë isha nga të parët që doja t'ia jepnin atij "Topin e artë". Por nuk ekziston asnjë futbollist që të fitojë i vetëm Kampionatin Botëror. Të gjithë janë të rëndësishëm, por asnjë nuk është i pazëvendësueshëm.

- Milani ka një shpirt brazilian...

- Dua të përfitoj nga ky rast për të lëshuar një apel në favor të Didës. Eshtë një mik i mirë dhe mbi të gjitha është akoma një kampion i madh. Sigurisht që vitin e kaluar zhgënjeu shumë, por kishte shqetësime fizike, të cilat e kushtëzuan. Në rast se Dida është mirë dhe do të rigjejë qetësinë, atëherë Milani ka në dispozicion portierin numër 1 në botë.

- Edhe Adriano po lufton për t'u rikthyer numri 1...

- Kjo është një temë që më pëlqen. Kam punuar me Adrianon në dy eliminatoret e fundit. E pranoj që kisha disa dyshime kur e grumbullova. Nuk kisha dyshime për cilësitë e tij si futbollist, por si njeri...

- Dhe atëherë...

- Zbulova se ai është bërë një profesionist perfekt. Adriano do të jetë blerja më e mirë për Interin e Mourinjos. U tregua i aftë edhe presidenti Morati me durimin e tij. Adriano, që njoha unë, do ta shpërblejë për besimin. Do ta grumbulloj sërish në kombëtare gjatë eliminatoreve të Kupës së Botës. Ai është "Perandori" dhe besoj se do të shpallet golashënuesi më i mirë i Serisë A.

- Një tjetër brazilian synon këtë objektiv: Amauri?

- Mesa di unë e ka blerë Juventusi...

- E drejtë. Lipi kërkon ta natyralizoi si italian për ta grumbulluar në kombëtare...

- Dakord, por ku dëshiron të luajë Amauri? Një brazilian, zakonisht, ëndërron që një ditë të luaj me fanellën e "Selesaos".

- Atëherë do ta grumbulloni?

- Jo në ndeshjet e ardhshme, por do të ketë një mundësi për të në nëntor ose në dhjetor. Duhet të respektoj disa parime bazë në skuadër. Në fillim e kanë radhën Adriano, Pato, Luis Fabiano dhe Fred, sulmues që nuk kanë shënuar pak gjatë karrierës së tyre. Nëse Amauri do të luajë mirë te Juventusi, atëherë ai mund të jetë pjesë e Brazilit tim. Nëse dikush dëshiron të luajë me "Selesaon", duhet të tregohet i durueshëm dhe të presë mundësinë e tij.

- E njëjta gjë vlen edhe për Mansinin e Romës?

- Në rolin e tij luan Robinjo dhe ndoshta edhe Ronaldinjo. Nëse të dy këta futbollistë do të jenë të padisponueshëm, atëherë ndoshta do të jetë radha e tij.

- Italia nuk e ka parë ende Huanin e vërtetë...

- Eshtë një nga mbrojtësit brazilianë më të mirë në 10-vjeçarin e fundit. Eshtë një lider dhe do ta tregojë diçka të tillë. Do të doja ta kisha me vete në Olimpiadë.

- Ju nuk keni mundësi të grumbulloni futbollistët që doni për Lojërat Olimpike....

- Po, ndërsa Argjentina do të marrë Mesin. Asnjë te Barcelona nuk ka protestuar. Gjithsesi duhet të bëjmë durim dhe të nderohemi me futbollistët që kemi. Kam dëgjuar se edhe Italia do të marrë vetëm Rokin, mbi moshën 23-vjeç. Në këto kushte, Argjentina do të jetë kundështari për t'u mundur, por duhet të bëjmë kujdes edhe nga kundërshtarët afrikanë, të cilët janë gjithmonë të rrezikshëm në veprimtari të tilla.

- Në fund, a e dini cila ka qenë skuadra italiane më aktive në merkato?

- Jo, sepse i jam kushtuar vetes 15 ditë pushime. Mendoj se e meritoj. (qesh)

- Fiorentina, ku keni luajtur ju...

- Ah, po. Kam dëgjuar se ka blerë brazilianin Felipe Melo. Ai ka migruar shumë shpejt në Europë dhe në Brazil nuk e njohin mirë, por bën pjesë në planet e mia. Më kanë thënë se zotëron një fuqi të jashtëzakonshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›