E Diel, 1 Nëntor 2026

Procedurat tatimore, biznesi kërkon ndryshime në ligj

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve organizuan tryezën e rrumbullakët për ligjin e ri të “Procedurave Tatimore”.  Duke qenë në një hap të rëndësishëm të këtij ligji, kur ende nuk kanë dalë udhëzimet e tij, drejtuesit e Dhomës e gjykuan si të rëndësishëm një takim të tillë në mënyrë që të merren në konsideratë të gjitha vërejtjet e mundshme të biznesit, ku në fazën e zbatimit të tij të mos kalohet në kontestime të panevojshme.

Nga ana tjetër,  drejtuesit e Drejtorisë së përgjithshme të Tatimeve, duke e konsideruar tashmë biznesin si partner në ndryshimet fiskale, kërkuan të merrnin në konsideratë vërejtjet e biznesit, duke dhënë dhe sqarimet e tyre të nevojshme për këtë ligj.

Që në nisje të kësaj tryeze kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Gjokë Uldedaj bëri të qartë se kjo ishte një kërkesë e përbashkët e të dy institucioneve për të organizuar këtë takim në këtë kohë, për të dhënë informacionin e nevojshëm, atë informacion të parë që i duhet biznesit. Sipas tij, institucioni që drejton ka qenë pjesë e diskutimeve të këtij ligji, si ligj themelor për biznesin. “Kemi kontribuar me grupet tona të ekspertëve, kontribut i cili ka konsistuar realisht pozitiv dhe po të krahasojmë draft ligjin me ligjin ka përmirësime të ndjeshme”, u shpreh Uldedaj.

Nga ana tjetër kreu i Dhomës së Tregtisë e konsideron këtë ligj si revolucion fiskal, por njëkohësisht dhe transparent. “Ligji i miratuar është një ligj më transparent dhe më liberal në konceptin e fazave të ankimimit. Nëse me ligjin e vjetër gjithçka ishte e lidhur me veprimin e një inspektori tatimor, sot janë fazat e ankimimit që nga grupi i ekspertëve që vepron tek nëndegët deri tek drejtoria e apelit që vepron në Drejtorinë e Përgjithshme”, u shpreh Uldedaj.

Edhe pse e konsideron të plotë ligjin e ri, ai bëri të qartë se “referuar këtij ligji sa i përket udhëzimit që do të dalë në zbatim të tij do të dëshironim që komuniteti i biznesit të ishte prezent dhe të kontribuonte në hartimin e këtij udhëzimi, për të mos lënë rast për keq interpretime, referuar atyre praktikave që janë konstatuar në ligjin e mëparshëm”.

“Synimi ynë mbetet administrimi i drejtë tatimor për të ulur shkallën e informalitetit, i cili rëndon në radhë të parë mbi biznese të parregullta, informalitet i cili prish rregullat e lojës, prish konkurrencën e tregut”, u shpreh Uldedaj, duke shtuar se “ajo çfarë kërkohet nga ne është që të jemi zbatues dhe njëkohësisht të bëjmë oponencën e mos respektimit të këtij ligji nga organet tatimore që shpeshherë kanë çuar dhe në konflikte gjyqësore midis biznesit dhe taksambledhësve dhe ku ka rezultuar që në shumicën e rasteve ka qenë biznesi ai që ka fituar këto procese”.

Duke i mëshuar këtij fakti Uldedaj theksoi se “për të mos pasur më probleme të kësaj natyre duhet të jemi sa më transparent, të informojmë në kohë biznesin që në radhë të parë të respektojë ligjin, por njëkohësisht të kërkojë dhe të drejtat e veta përballë kësaj administrate”.

Duke vlerësuar rolin e Dhomës në këtë proces, Uldedaj u shpreh se “Dhoma e Tregtisë është një institucion i hapur për të vjelë ankesat e biznesit dhe për t’i çuar në kohë tek administrata tatimore, qoftë nëpërmjet botimeve që ka dhoma si gazetën javorë apo revistën mujore, apo nëpërmjet formave të tjera të komunikimit me biznesin”.

Drejtuesit e tatimeve që morën pjesë në këtë panel , sqaruan bizneset për atë çfarë i shqetëson në këtë ligj të ri, duke pranuar nga ana tjetër se tashmë administrata tatimore është në një proces të një sistemi bashkëkohor.

Në takim merrnin pjesë, nëndrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Hysen Muceku, Drejtori i Drejtorisë së Tatimeve të Tiranë, Jovan Cano, drejtorë të tjerë të drejtorive në DPT, përfaqësues të biznesit etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›