“Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, Ibrahimaj: 296 milionë lekë kredi të miratuara për bizneset

TIRANË, 25 shtator /ATSH/ Njëzet biznese kanë marrë miratimin për financim dhe 12 prej tyre kanë nënshkruar kontratat e para në kuadër të programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, ndërsa vlera e kredive të miratuara arrin në rreth 296 milionë lekë.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në një video mesazh në rrjete sociale, bëri të ditur se investimet e para kanë nisur gjatë gushtit dhe fillimit të shtatorit në Lushnjë, Fier, Berat, Shkodër, Vlorë dhe Tiranë.
Sipas saj, bizneset përfituese po i orientojnë financimet drejt blerjes së makinerive dhe teknologjive të reja, zgjerimit të kapaciteteve dhe zhvillimit të aktiviteteve në sektorë të ndryshëm, përfshirë bujqësinë, prodhimin, transportin dhe hotelerinë.
“Përmes këtij programi ju japim mundësi bizneseve të zgjerojnë investimet. Në fund të muajit korrik ishim të bindur se do të kishim shumë kërkesa dhe sot kemi rezultate konkrete”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja informoi se deri tani janë regjistruar rreth 800 aplikime për shprehje interesi, të cilat do të ndiqen me rigorozitet gjatë procesit të vlerësimit.
Programi synon të mbështesë sipërmarrjet në realizimin e planeve të tyre të investimit, duke nxitur zgjerimin e aktivitetit, modernizimin e teknologjisë dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese.
“Investimet po kthehen në makineri të reja, zgjerim aktiviteti dhe më shumë mundësi për bizneset shqiptare. Ky është vetëm fillimi”, deklaroi Ibrahimaj, duke ftuar bizneset të vijojnë aplikimet në kuadër të programit.
/e.xh/j.p/r.e/