EMRAT/ Kandidatët për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, ja kush më i “kuotuari” deri tani

Dy ditë nga përfundimi i afatit të dorëzimit të aplikimeve për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, mësohen emrat e disa oficervë që kandidojnë për këtë post.
Pëllumb Seferi, drejtori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, është një prej kandidatëve.
Për postin e kryepolicit kandidon edhe drejtori aktual i Policisë së Vlorës, Elidon Çela, me 25 vite karrierë, i cili përflitet si një prej më të “kuotuarëve”.

Elidon Çela
Një tjetër emër që kandidon është edhe drejtori i Policisë së Durrësit, Afrim Tafa.
Po ashtu kandidojnë edhe oficerët Lutfi Minxhozi dhe Idajet Faskaj.
Pritet që në dy ditët e mbetura mund të kandidojnë edhe emra që janë përfolur pas hapjes së garës, si Tonin Vocaj dhe drejtori aktual i Fierit, Skënder Hitaj.
Aktualisht, në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është komanduar Sokol Bizhga, pas largimit të Ilir Prodës.
Shkarkimi i kreut të Policisë erdhi pas protestës së 28 Shkurtit të Partisë Demokratike, ku u sulmua me molotovë edhe ish-vila e diktatorit Enver Hoxha.
Drejtuesi i lartë të Policisë së Shtetit u shkarkua me argumentin e mos-garantimit të rendit dhe vënien në rrezik të jetës së qytetarëve.