“Krahu i djathtë i Licëve”/ Kush është personi që qëlloi ndaj Policisë sot në Shkodër (EMRI-FOTO)

Mësohen detaje të reja nga ngjarja e mesditës së sotme në Kiras të Shkodrës ku gjatë një operacioni policor u qëllua me armë.
Burime për Fax News bëjnë me dije se, personi që dyshohet se ishte në makinë dhe qëlloi është Barush Bregu, i cili rezulton person i shpallur në kërkim.

Kush është Barush Bregu?
Bregu është një emër i njohur për autoritetet.
39 vjeçari u arrestua në shtator 2025 si një nga personat e shpallur në kërkim lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi në lagjen “Qemal Stafa” të qytetit të Shkodrës, ku për shkak të të shtënave me armë zjarri humbën jetën dy persona dhe mbetën të plagosur dy të tjerë.
Bregu, dyshohet se ka siguruar armatime, mjete dhe pajisje për kryerjen e krimeve të rënda ndaj jetës së personave të tjerë.
Barush Bregut sipas të dhënave është një person me rrezikshmëri të lartë, i cili ishte nën hetim që prej vitit 2018, kur u implikua në një valë ngjarjesh kriminale në Shkodër.
Ai rezulton të jetë i dënuar më parë me 4 vite burg për kultivim narkotikësh.
Gjatë operacionit të vitit 2018, në banesën e tij u gjet një armë, ndërsa ai ishte në arrati, duke u fshehur në një banesë me qira në zonën e Komunës së Parisit. Banorët e zonës raportuan se ai lëvizte i armatosur në publik.
Në banesën e tij në lagjen “Guerrile”, që dyshohet si bazë operacionale e personave në kërkim, policia sekuestroi atëherë 7 armë zjarri, 45 kapsolla detonatore elektrike, municion luftarak, 5 dronë dhe pajisje të tjera.
Barush Bregu njihet edhe si krahu i djathtë i Ibrahim Licit,.
Ja çfarë thotë Policia për ngjarjen sot në Kiras:
Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 15:10, gjatë patrullimit në lagjen “Guerrile”, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, një automjeti me të cilin lëviznin 2 shtetas, me qëllim kryerjen e kontrolleve. Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, por ka shtuar shpejtësinë e lëvizjes dhe ka kryer manovra të rrezikshme me automjet.
Për këto arsye, shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje automjetit. Gjatë ndjekjes, dyshohet se pasagjeri në këtë automjet, duke u larguar ka qëlluar një herë, në ajër, me armë zjarri, dhe është larguar.
Shërbimet e Policisë kanë kapur drejtuesin e automjetit, inicialet e të cilit nuk bëhen të ditura për momentin, për shkak të konfidencialitetit të hetimit.
Ndërkaq, vijon intensivisht puna për lokalizimin dhe kapjen e pasagjerit në këtë automjet.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për të zbardhur rrethanat e rastit.