E Diel, 1 Nëntor 2026

EMRAT/ “Të famshmit” e Tik Tok që porositën dhunimin me çekiç të 26-vjeçarit. Publikuan edhe videon

Policia e Shtetit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më 6 dhjetor 2025, te rrethrrotullimi i zonës së Freskut, ku një 26-vjeçar u plagos rëndë me sende të forta.

Nga hetimet rezultoi se tre persona ishin të përfshirë në këtë ngjarje: dy që porositën sulmin dhe një që e kreu atë.

Helidon Marku është arrestuar nga policia ndërsa u porosit nga dy personazhet e njohura të “Tik-Tok”, Gjoke Ndrevata, i njohur si Aron 36 vjeç dhe Xhemal Uka, i njohur si Fire, 30 vjeç.

Në foto: Helidon Marku

Dyshohet se këta persona kanë porositur Markun për ta rrahur vetëm për shkak të komenteve që ai u ka bërë gjatë kohës që ata qëndronin live në rrjetin social.

Një tjetër person, 33-vjeçari T. D., po procedohet në gjendje të lirë, pasi dyshohet se ka shoqëruar autorin e krimit dhe nuk ka dhënë informacion për ngjarjen në polici.

Aroni publikoi në Tik-Tok videon e dhunimit

Personazhi i Tik-Tok Gjoke Ndrevataj ka shpërndarë live në rrjete sociale videon nga momenti i dhunimit brutal të 26-vjeçarit pranë rrethrrotullimit të Freskut.

Në video shihet Marku duke dhunuar me çekiç në kokë disa herë të riun.

Njoftimi i Policisë: 

Tiranë/Zbardhet dinamika e ngjarjes së ndodhur më datë 06.12.2025, te rrethrrotullimi i zonës së Freskut, ku u plagos rëndë, me sende të forta, një 26-vjeçar. Identifikohen 3 shtetas të përfshirë në këtë rast, konkretisht 2 porositësit e plagosjes dhe njëri nga autorët. Vihet në pranga ky i fundit dhe punohet intensivisht për kapjen e 2 porositësve. Të tre shtetasit e përfshirë, me precedentë penal të theksuar për krime kundër personit. I arrestuari, me precedent edhe për armëmbajtje pa leje. Procedohet penalisht një shtetas që dyshohet se ka shoqëruar autorin e plagosjes, te vendi i kryerjes së krimit, dhe nuk ka kallëzuar rrethana të rastit. Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të plagosjes së rëndë të shtetasit F. Y., me sende të forta, më datë 06.12.2025, te rrethrrotullimi i zonës së Freskut, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në kuadër të operacionit “Porosia”, identifikuan 3 shtetas të përfshirë në këtë rast, konkretisht H. M., 49 vjeç, Gj. N., 36 vjeç dhe Xh. U., 30 vjeç. Nga këto veprime rezultoi se 36-vjeçari dhe 30-vjeçari, për motive të dobëta, kanë porositur shtetasin H. M., për të kryer plagosjen. Në vijim të veprimeve operacionale, 49-vjeçari u kap dhe u vu në pranga, ndërkaq po punohet për kapjen e shtetasve Gj. N. dhe Xh. U., si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që dyshohet se janë përfshirë në plagosjen e 26-vjeçarit. Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin T. D., 33 vjeç, pasi dyshohet se ka shoqëruar shtetasin H. M., për të kryer krimin, si dhe ka refuzuar të deklarojë në polici, rrethana të kësaj ngjarjeje, për të cilat dyshohet se ka patur dijeni. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›